„Muslimanë, a po na flasin namazet tona?“

Imami i xhamisë, hfz. Mehas Alija, duke lexuar Kur'an para namazit të drekës.
Imami i xhamisë, hfz. Mehas Alija, duke lexuar Kur’an para namazit të drekës.

Hfz. Mehas Alija

Falënderimi i takon Zotit të gjithë botëve, salavatet dhe selamet i takojnë të Dërguarit të Tij, familjes, shokëve dhe gjithë atyre që e pasojnë për të mirë deri në ditën e gjykimit.

“Ti lexo atë që po të shpallet nga libri (Kur’ani), fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e All-llahut është më e madhja (e adhurimeve); All-llahu e di ç’punoni ju.” (Ankebut, 45)

“Dijeni se vepra më e mirë është namazi”. (Hadih: Ahmed, Malik)

Xhemat i shtrenjtë

Kjo është e xhumaja e parë e vitit 2017. Mendova shumë se me çfarë teme t’ia nisim këtij viti dhe u përcaktova që t’i them dy-tre fjalë në lidhje me namazin. Ndoshta dikush do të thoshte se pse pikërisht nga namazi? E fillova me namazin, pasi mendoj se çështja e tij në fenë tonë është nga më të rëndësishmet, por që sot, tek muslimanët, është kthyer ndër çështjet dytësore. Dhe kjo, për shkak se para namazit kemi ngritur prioritete të tjera.

Ata që dëshirojnë ta përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre, duhet së pari të fillojnë të fokusohen në përmirësimin e kualitetit të namazit. Kur namazi të kthehet në prioritet, pra të jetë më i rëndësishëm se sa shkolla, puna, argëtimi, shoqërimi, shooping-u, televizioni, futbolli, mu atëherë fillon ndryshimi për të mirë në jetë. Ironia e krejt kësaj është se disa njerëz mendojnë se, së pari, duhet të rregullohen çështjet e jetës, e pastaj të fillohet me namazin. Prandaj dhe sot shohim prindër që u thonë fëmijëve të tyre: flini se duhet të zgjoheni më herët, se nesër keni shkollë, se nesër keni lojë futbolli, apo se duhet të shkoni në punë, ndërsa nuk u thonë, fillimisht, se nesër duhet të zgjoheni ta falni namazin e sabahut, e pastaj të tjerat.

Ky qëndrim nuk është tjetër, veçse mashtrim nga Shejtani i mallkuar, i cili e di fortë mirë se namazi është fuqi dhe udhëzim për përmirësim të kualitetit të jetës. Kjo gjendje i ngjan shoferit, automjeti i të cilët ka fare pak karburant. A mund ai të ec më tutje me veturë, nëse asaj i harxhohet benzina? Si mund të arrihet te caku nëse rezervari është i zbrazur? Ja pra, kështu është edhe me ata që nuk falen, por edhe me ata që namazin e kanë vetëm formë, dhe jo energji.

Nëse na ndodh kjo, atëherë na ka mundur shejtani. I kemi lejuar atij të na e vjedh më të çmuarën e jetës sonë. Ja, po e sjell edhe një shembull tjetër dhe besoj se kjo ndodh me të gjithë ne. E kam fjalën për çështjen e sigurimeve. Ne të gjithë mundohemi që t’i sigurojmë sa më mirë shtëpitë, banesat dhe automjetet dhe këtë e bëjmë pasi mendojmë se janë gjëra me vlera në jetën tonë. Po, vallë, sa i kemi të siguruara zemrat tona? Si të lejojmë që ato të na i vjedh hajduti më i madh, i cili i tha Allahu xh.sh. se ka për të qenë armiku jonë i përbetuar, deri në Kijamet!? Ky nuk është hajdut që të vjedh jetën kalimtare të kësaj botë, por ky është hajduti që të vjedh bindjen e shpirtit dhe kartën e Xhennetit.

Xhemat i dashur

Namazi është jeta jonë. Namazin duhet ta falim patjetër. Edhe atëherë kur ta falim atë, duhet të shikojmë se si e falim. Namazi duhet të flas; ai duhet t’i flas ndërgjegjes sonë.

Vëlla dhe e nderuara motër, përsose namazin tënd, ka për të të qenë edhe jeta jote e përsosur. Rregulloje qëndrimin tënd në namaz, ka me u rregulluar edhe jeta jote. Kjo është kështu, pasi Allahu xh.sh. namazin e ka bërë rregullator të gjithçkaje në jetën tonë. Por, lum kush ia di vlerë!

Do ta përfundoj këtë hutbe me një hadith shumë domethënës të Muhammedit a.s. i cili thotë: “Kur të bie njeriu për të fjetur, shejtani ia lidhë tek koka tri nyje dhe i thotë: ‘Fli, ngase para vetes ke një natë të gjatë!’ Nëse ai ngrihet dhe e përmend Allahun, i zgjidhet një nyje, nëse merr abdes i zgjidhet edhe një nyje dhe nëse ngrihet dhe e fal namazin i zgjidhen të gjitha nyejt dhe bëhet aktiv dhe shpirtdëlirë. Në të kundërtën bëhet shpirtlig dhe përtac.” (Buhari dhe Muslimi).

(Hutbeja e xhumasë, 06.01.2017, Xhamia El-Hidaje, St. Gallen / Zvicër)