O njeri, puno për dynjanë aq sa do të jetosh në të!

Vëllezër dhe motra të nderuara,

Shpesh ndodh  që njeriu të humbë nga shikimi kohën e shkurtër të kësaj bote dhe të periudhës në të cilën jeton. Për këtë, duhet të mendojmë shumë rreth fjalëve të Allahut xh.sh., ku thotë: “…ditën kur do ta përjetojnë atë që u është premtuar, atyre u duket sikur nuk kanë jetuar vetëm se në një moment të shkurtër të ditës. Dhe mjaftë. A mos shkatërrohet kush, pos popullit të shfrenuar?” (Ahkaf, 35).  Allahu i Madhërishëm, po ashtu, thotë: “Ditën kur ta përjetojnë atë, atyre (idhujtarëve) do t’u duket sikur nuk kanë jetuar më tepër se një mbrëmje ose një mëngjes të saj.” (Naziat, 46)

Një ditë, i Dërguari i Allahut, Muhammedi a.s., ishte duke iu mbajtur ders shokëve të tij, as’habëve të nderuar, kurse dielli ishte në majë të kodrës, duke perënduar ngadalë, dhe ai s.a.v.s. u tha: “Ajo që ka ngelë nga kjo botë, në krahasim me atë që ka kaluar, është njëjtë me atë që ka ngelë nga kjo ditë, në krahasim me atë që ka kaluar prej saj.”(Imam Tirmidhiu, hadithi është vlerësuar si hasen).

Tregohet se dijetari i njohur, Shibiliu, ka mësuar te katërqind dijetarë, prej të cilëve ka mësuar mbi katër mijë hadithe, por, siç ai vetë ka rrëfyer, vetëm një hadith ia ka ndryshuar krejt jetën e tij. Hadithi është ky: Muhammedi a.s. ka thënë: “Puno për këtë botë aq sa do të qëndrosh në të; puno për botën tjetër, aq sa do të jetosh atje; puno për Allahun xh.sh. aq sa ke nevojë për Të; kurse për zjarrin, puno aq sa mund ta durosh atë.” (Gazali, Ej-juhel veled).

Kushdo që prej nesh ia do të mirën vetvetes, le të mendojë shumë për këto hadithe.

O njeri, o ti me logjikë dhe arsye, sa kohë ke kaluar deri tani, të duket e shkurtër apo e gjatë? Po ta pyesim një 90 vjeçar, se sa gjatë i duket se ka kaluar në këtë botë, do të thotë se jeta i është dukur e shkurtër.

Ai i cili kupton drejtë, do të shoh se mund të jetë mashtruar, se akoma është në ëndrra, dhe se lumturinë e përhershme, me mirësitë e vazhdueshme që kurrë nuk mbarojnë, i ka shitur për gjëra të pavlera, që një ditë u vjen fundi dhe zhduken. Sikur të ecte në kërkimin e Allahut dhe të përbotshmes, të asaj që është e përhershme, Allahu i Plotëfuqishëm do t’ia jepte edhe pjesën e tij të dunjasë, madje do t’i jepte mundësinë që të kënaqej në të.

Në disa përcjellje të tjera, është thënë po ashtu: “O biri i Ademit, bleje Ahiretin me dunjanë tënde, do t’i fitosh të dyja. Mos e shit Ahiretin tënd për dunjanë, se do t’i humbish të dyja.”  (Nu’ajmi i përcjellë si fjalë të Hasan El-Basirut, me zinxhir të mirë.)

Dijetarët e mëparshëm tonët, thoshin: O biri i Ademit, ti je i nevojshëm për pjesën tënde të dunjasë, por më i nevojshëm je për pjesën tënde të Ahiretit. Nëse i jep përparësi pjesës tënde të dunjasë, ke për ta shkatërruar edhe Ahiretin, por, me këtë, do të humbësh edhe pjesën e dunjasë. Dije sigurt, se nëse i jep përparësi pjesës tënde të Ahiretit, ke për të fituar me sukses edhe pjesën tënde të dunjasë.

Mehas Alija