Njoftim: Nesër është nata e 27-të e Ramazanit

Njoftim, 30.06.2016

Të nderuar vëllezër dhe motra, ju njoftojmë se, sipas Kalendarit tonë dhe takvimeve të Bashkësie Islame, nesër, më 01.07.2016, përkon nata e 27-të e muajit të bekuar të Ramazanit, natë e cila, sipas kalendarit musliman konsiderohet si nata më e mirë e vitit, respektivisht Lejletu-l-kadri.

Nata e Kadrit është nata në të cilën filloi zbritja e Kuranit a.sh., shpallja e fundit dërguar për njerëzit nga Allahu xh.sh. Për këtë natë, Allahu xh.sh. ka zbritur një sure të veçantë, të quajtur sureja e Kadrit. Kjo është natë që ka vlerë sa një mijë muaj dhe në të zbresin maqelat së bashku me Xhibrilin për të përcaktuar çdo gjë.

Në natën e Kadrit muslimanët luten për falje të mëkateve të tyre dhe shpresojnë në mëshirën e Allahut xh.sh. Vlera e kësaj nate është kaq e madhe për shkak të zbritjes së Kuranit a.sh., që është faktikisht mëshira më e madhe e zbritur ndonjëherë për njerëzit.

Shënimi i kësaj nate, sikur edhe në vitet e kaluara do të bëhet në mënyrë të veçantë në xhaminë tonë El-Hidaje, ku do të ketë derse, këndim kurani, dua, lutje, dhikre të përbashkëta, falje namazesh kaza dhe nafile, këshilla, si dhe pyetje-përgjigje. Në fund, për xhematin e xhamisë do të shtrohet edhe një syfir i përbashkët.

Ne e lusim Allahun xh.sh. të na e mundësojë që të fitojmë sa më shumë që është e mundur nga kjo natë e madhe dhe e bekuar e Kadrit.

(Xhamia El-Hidaje)