Ne fenë tonë nuk ka diçka që quhet “kohë e lirë”

Hfz. Mehas Alija

Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.

“Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete. Dhe kur Ai donë ta dënojë një popull, s’ka kush e pengon në këtë, dhe se ata, përveç Tij, nuk kanë mbrojtës tjetër.“ (Rad, 11)

Muadh ibn Xhebeli r.a. ka thënë se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: “Nuk do të lëvizë këmba e asnjë robi Ditën e Kiametit, derisa të pyetet për katër çështje: Për jetën se si e kaloi. Për rininë se si e shfrytëzoi. Për pasurinë se nga e  fitoi dhe ku e  harxhoi. Për diturinë se si  punoi  me të.” (Imam Tirmidhiu).

E nderuara rini, në fenë tonë nuk ka një gjë të tillë që do ta quanim “kohë e lirë”. Në Islam, koha është një ndër gjërat më të shtrenjta. E ju jeni pjesë e këtij Ummeti të madh. Secili anëtar i këtij uummeti, e sidomos të rinjtë, vazhdimisht punojnë për të mirën e shoqërisë, për diçka që për njerëzit është e bukur dhe e mirë.

Ju nuk keni kohë të lirë. Ju nuk keni kohë që tetë orë në ditë t’i kaloni duke luajtur video-lojra. Ju nuk keni kohë për të luajtur GTA apo Modern Warfare. Koha juaj nuk është aq e lirë që ta harxhoni në Facebook. Ju nuk keni kohë ta harxhoni nëpër kinema dhe nëpër “Vashangale”. Kohën që na e ka falur i Madhi Zot, e kemi për ta shfrytëzuar vetëm për gjëra të dobishme dhe të rëndësishme.

Vëllezër të dashur!

Ju jeni të rinjtë e Ummetit të Muhammedit a.s., jetoni me standarte të larta, fisnike, dhe këtë ta bëni, jo se ju këshillojnë më të vjetrit, hoxhallarët, apo dikush tjetër, porse këtë e kërkon vetë ndërgjegjja juaj. Këtë duhet tua thotë vetë dëshmia juaj “La ilahe ilall-llah” – Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm.”

Shehadeti yt të flet se duhet të jesh aktiv; se duhet drejt t’i shohësh gjërat dhe të këqijat që të rrethojnë t’i largosh larg teje dhe largë gjirit tënd familjar e shoqëror.

Ju i shihni, çdo ditë e më tepër, se si të rinjtë largohen nga Allahu. Çfarë mendoni, kush i fton ata në rrugën e Zotit? Mos vallë unë? Jo! Ata nuk vijnë në xhami. Ata nuk vijnë në Mekteb, që unë t’ua mësoj fenë! Unë nuk kam ndonjë mënyrë se si të arrijë te ata, kurse ju e keni këtë. Ata janë shokët tuaj dhe shoqërohen me ju. Ju duhet të punoni me ta. Jini për ta, sikur që jam unë për ju. Bëhuni thirrës për ta. Ju duhet të jeni frymëzimi më i mirë i jetës dhe suksesit për ta.

Bëhuni njerëz që do të kujdeseni për njerëzit, e sidomos për ata që jetojnë rreth jush. Mos u anko duke thënë: “Këta shokët e mi asgjë të mençur nuk veprojnë, vetëm shikojnë filma dhe shëtitin kafeneve…” A jemi shembull për ta dhe a i kemi këshilluar ndonjëherë? A i kemi ftuar ndonjëherë që të bëjnë diçka pozitive në jetë dhe a kemi ndonjë ndikim tek ta?

Të dashur vëllezër dhe motra!

Duhet ta dimë një gjë: qëndrimi dhe sjellja e bukur është da’veja (thirrja) më e mirë. Kjo është ajo që secili prej nesh duhet ta arrijë. Në këtë mënyrë, me ndihmën e Allahut, rinia jonë do të bëhet udhëheqësia e këtij Ummeti, do të bëhen burim dhe shkaktarë udhëzimi në Rrugën e drejtë për të gjithë ata që dëshirojnë të largohet nga punët e liga dhe veset e këqija.

A kemi menduar ndonjëherë të jemi që, kur të na shikojnë të tjerët, të thonë: Eh, sikur të isha sikur ky dhe ai! Ah, sikur të isha një musliman! Nëse duam të kemi suksese në këtë botë dhe në botën tjetër, ne duhet të jemi të tillë, shembullorë dhe të përparimtarë. Të dallohemi nga karakteri dhe mënyra e jetesës, duke qenë të sinqertë dhe të drejtë në raportet tona me të tjerët. Ta biem punën deri aty që të tjerët të thonë: “Vërtetë, këta muslimanët janë shumë të mirë. Duam të jemi si ata.”

Kjo mund të arrihet vetëm duke filluar, në radhë të parë, nga vetvetja dhe pastaj duke i ftuar edhe të tjerët. Askush nuk të dëgjon nëse dikujt i thuash që të mos e pi duhanin, ndërkohë ti vetë e pi atë. Askush nuk të beson nëse e flet të vërtetetën, nëse ty shoqëria të njeh si gënjeshtar; askush nuk të vjen pas, nëse sjellja jote është në kundërshtim me atë që ti i thirr njerëzit.

Thirrja jote e vërtetë për në Islam, është vetë sjellja jote. Ahlaku është karakteri i muslimanit. Ne mund të bëhemi thirrës edhe pa mos folur asnjë fjalë.Në bazë të veprava dhe sjelljeve tona, njerëzit do ta lexojnë fenë tonë.

Sad ibnu Muadh e pranoi islamin në moshën tridhjetë vjeçare dhe vdiq tridhjetë e shtatë vjeç. Ai jetoi si musliman dhe kontribuoi për këtë fe vetëm shtatë vjet. Megjithatë, ditën që vdiq, Pejgamberi a.s. tha: “Vdiq Sad ibnu Muadh. Për vdekjen e tij është dridhur Arshi i të Gjithëmëshirshmit. Nga qielli kanë zbritur shtatëdhjetë mijë melekë për të përcjellë xhenazen e tij. Kurrë më parë ata nuk kanë zbritur në qiellin e kësaj bote.”

Rini e shtrenjtë e El-Hidajes, ju jeni ambasadorët tanë në këtë qytet. Dijeni mirë se ju jeni shumë të mëdhenj dhe të shtrenjtë, keni një çmim shumë të lartë, andaj mos bini aq poshtë duke humbur kohë me gjëra të ulta. Në ditën e Llogarisë, përpara Allahut, do të pyetemi: Si ua paraqitëm fenë tonë të tjerëve? A ishim shkaktarë që njerëzit të afrohen me Islamin, apo u bëmë sebep që ata të largohen edhe më shumë prej tij?

E lus Allahun xh.sh. të na jape forcë që të mund ta bartim këtë amanet dhe të arrijmë të bëhemi anëtarë të përgjegjshëm të këtij ummeti të mirë. Amin.

(Hutbeja e xhumasë, 25.12.2015, Xhamia El-Hidaje, St. Gallen, Zvicër)