Mendon për natën e vitit të ri, e nuk mendon për natën e varrit

Hfz. Mehas Alija

Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.

“Me të vërtetë, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu dhe pastaj janë të përqendruar në të, atyre do t’ju zbresin melaqe dhe do t’u thonë: Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni. Dhe gëzojuni xhennetit që u është premtuar. Ne jemi miqtë tuaj në këtë botë dhe në botën tjetër. Ju (në xhennet) do të keni çfarë të dëshironi dhe të çfarë të kërkoni, si gosti prej atij që falë shumë dhe që është mëshirues. E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e All-llahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “Unë jam prej muslimanëve?” (Fussilet, 30-33).

Të dashur vëllezër e motra, e nderuara rini, sot është xhumaja e fundit e këtij viti dhe dua që me këtë rast t’i drejtoj vetes dhe juve disa këshilla.

Jeta është kalimtare dhe të gjithë, çdo ditë e më tepër, afrohemi drejtë kalimit nga kjo botë, në botën tjetër. Ja ky vit që po përfundon, tregon se ne jemi një vit më të vjetër, seç ishim vitin e kaluar. Allahu i Madhërishëm me mëshirën  e Tij, na dha edhe një vit afat për të jetuar dhe për t’i shfrytëzuar mirësitë e Tij, por askush prej nesh nuk e ka të sigurt se vitin e ardhshëm do të mund ta mbërij këtë ditë. Andaj le të kemi kujdes se për çfarë përcaktohemi: Do të bëhemi robër të Allahut dhe respektues të fesë së Tij, apo do të bëhemi robër të dëshirave tona, që si duket nuk kanë fund!

Më la shumë përshtypje thënia e profesorit shqiptar musliman, dr. Metin Izeti, që thoshte: “Tash e tutje, mos pritni që të ketë mushrik klasik, të shkojnë t’i marrin idhuj ta vëndosin para vetes dhe t’iu bëjnë ibadet, ama një prej putave kryesor është “un-i”, në çdo element personi e vëndos “un-in” e vet dhe atij fillon të bëj ibadet.” Uni është egoja, dëshira dhe pasioni i tij.

Një dijetar tjetër, Sehl ibn Abdullah el-Tustari, ka thënë: “Me asgjë më të mirë nuk do të mund ta madhërosh Allahun, sesa duke e kontrolluar egon dhe dëshirën tënde”. (Risala Kushejrijja, fq. 78.)

Dëshirat dhe pasionet tona sikur trazohen më tepër në fundvit. Ja, shohim dhe dëgjojmë sesi  njerëzit përgatiten për t’i kaluar këto ditë dhe netë në manifestime të ndryshme gazmore, me këngë e valle dhe me muzikë.

Njeriu mendon se si ta kalojë natën e vitit të ri, por nuk mendon se si do ta kalojë natën e parë në varrin e tij!

Njeriu mendon dhe rezervon të shkojë në ndonjë klub nate, për ta dëfryer qejfin e tij, ndërkohë as edhe një natë gjëtë këtij viti nuk ka ardhur në xhami ta fale namazin e jacisë apo edhe të sabahut!

Me thoni, ju lutem, a është ky rob i denjë i Allahut? Nëse po, atëherë për ku e fton atë Allahu i Madhërishëm, në klubin e natës apo në Shtëpinë e Tij?

Në këtë fundvit, duhet të mendosh për atë që është shkruar në ditarin e jetës tënde. Të mendosh rreth asaj se cilën melaqe e ke lodhur më shumë, atë që shkruan vepra të mira, apo atë që i shkruan veprat e liga dhe të këqija.

Le të mendojmë se sa herë e kemi dëshpëruar melaqen e veprave të mira, kur pasi që e ke bërë një punë të mirë, e ke prishuar atë me një të keqe: kur pasi që u fale, ofendove dhe shave; pasi që dha sadaka, u mburre me të; pasi që i ndihmove dikujt, e nënçmove dhe ia përmende atë; pasi qave për Allahun, e bëre edhe dikë tjetër të qaj nga zullumi yt; pasi lexove Kur’anin, u hidhrove me muslimanin; pasi e lute Allahun, e dëgjove Shajtanin.

Vëlla dhe motër e nderuar, më thoni, ju lutem, a jemi të gatshëm ta lexojmë librin tonë që nga sot? Nëse tani, për para nesh, do t’i ishte lexuar dikujt libri i jetës, a do të ishte i turpëruar ai apo do të ishte i lumtur? Unë, do të doja shumë që të gjithë ne te jemi të lumtur me punët e mira tonat.

Xhemat i respektuar!

Vargun e kësaj hutbe do ta kisha zgjeruar edhe më tepër, sidomos duke folur për anomalitë që kanë depërtuar në familjet tona, në veçanti do t’i përmendja “festat e fundvitit”.  Muslimani e ka të ndaluar të festojë për këto festa, andaj ju lus që t’i kaloni këto ditë në pushime me familjen dhe munduhuni të bëni vepra të mira, dhe t’i kompenzoni lëshimet fetare që i këni bërë brenda vitit. Të pendohemi te Allahu xh.sh. dhe fillojmë një vit të ri, me plotë shpresë dhe bindje në Zotin dhe fenë e Tij. Le t’u themi STOP qejfeve që na largojnë nga Rruga e Allahut dhe le të jemi sa më afër xhamisë, shtëpi kjo e lumturimit tonë në këtë botë dhe në botën tjetër.

Sehl ibn Abdullah el-Tustari : “Gjynahun e largon vetëm ai që është i sinqertë me Allahun, kurse veprën e mirë e bënë edhe ai që është i mirë, edhe ai që është i keq.” (Sifetu safve, IV/316.)

Për fund, dua ta sjellë një hadith të Muhammedit a.s. që thotë: “Përqendrohuni sa të jetë e mundur në Rrugën e Allahut, dhe mundohuni që sa më afër këtij qëllimi të jeni.” (Buhari dhe Muslimi).

(Hutbeja e xhumasë, 25.12.2015, Xhamia El-Hidaje)

(El-Hidaje)