“Trëndafili i dashurisë ndaj Muhammedit a.s., ka filluar të jep aromën e tij në Xhaminë El-Hidaje.”
Në mbrëmjen e së shtunës, të datës 26.12.2015, pas faljes së namazit të jacisë, u realizua Tribuna tradicionale kushtuar Muhammedit a.s., dhe veprës së tij.
Në një ambiet të ngrohtë dhe plotë respekt për të shënuar ditën e lindjes së ma të madhit të njerëzimit, Pejgamberit të Allahut, s.v.a.s., në Xhaminë El-Hidaje, në qytetin e St. Gallenit në Zvicër, me ligjerues të veçantë, u diskutua rreth temës së teorisë së shtetit nga pikëpamja e Sheriatit islam.
Imami i xhamisë, hfz. Mehas Alija, në hapje të Tribunës, e njoftoi xhematin dhe mysafirët për rrjedhën e programit dhe për arsyet e përcaktimit për të diskutuar një temë të tillë, që, siç tha imami, nuk ka mbetur njeri, i madh a i vogë, që nuk ka dëgjuar për të.
Programi filloi me këndimin e disa pjesëve nga Kur’ani, nga lexuesi i njohur dhe magjistri i tefsirit, që enkas për këtë evenimet kishte ardhur nga Turqia, Mr. Flamur Kasami. Përpos këndimit të Kur’anit, ef. Kasami, me zërin e tij të bukur dhe profesional, për kënaqësinë e pjesëmarrësve këndoi edhe një ilahi kushtuar Muhammedit a.s.
Më pas, si ligjërues i parë, me temën: Koncepti i shtetit nga pikëpamja e besimit (akaidit), ishte Mr. Amet Memedi, që drejton organizatën e Forumit të të Rinjve Musliman.
Ndër të tjerash, ef. Memedi trajtoi çështjen e Hilafetit dhe të Imametit në shkencën e akaidit, duke sjellë shembuj dhe qëndrime dijetarësh në lidhje me atë se a janë të obliguar muslimanët apo jo të kenë një halif apo një halifat; si e sheh këtë çështje Ehli Sunneti dhe Xhemati dhe si e shohin fraksionet e tjera, sikur që janë, për shembull, shiitët, etj.
Ligjëruesi i dytë i Tribunës ishte profesori dhe dijetari meritor, Jusuf ef. Zimeri, i cili ishte ftuar enkas për këtë shënim madhështor, ku trajtoi temën e shtetit nga pikëpamja e jurisprudencës islame, respektivisht fikhut.
Profesor Jusuf Zimeri foli për natyrën dhe sistemin juridik dhe politik të Shtetit islam; çfarë e dallon atë dhe si funksionon ky shtet dhe se cilët janë principet e tij, etj.
Më pastaj, hafizi i merituar dhe kënduesi i dalluar i kiraeteve, por edhe i Mevludi sherifit, Hfz. Abdurrahim Sulejmani, me një paraqitje të shkëlqyer ndezi shpirtrat e pjesëmarrësve me mallin për Pejgamberin a.s., duke i kënduar disa vargje mevludi shpirtit të Resulullahit dhe për të gjithë të pranishmit.
Ligjëruesi i tretë në këtë natë të begatë përkujtimi për Resulullahin, ishte dijetari dhe hoxha i palodhur, kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame nga Bujanoci, Mr. Ragmi Destani.
Ef. Destani trajtoi temën në lidhje me aspektet sociale dhe përgjegjësitë e ndërsjella të shtetit në njërën anë, dhe të individit në anën tjetër.
Mënyra e tij e veçantë e prezantimit të temës, bëri që pjesëmarrësit të ruajnë kërshërinë dhe dëshirën për të qëndruar deri në fund të programit, me dëshirën për të mbledhur sa më shumë njohuri dhe informacione rreth të drejtave të shtetit ndaj shoqërisë, por dhe të shoqërisë ndaj shtetit dhe ndaj njëri-tjetrit.
Mexhlisin e Xhamisë El-Hidaje, në këtë natë, e begatoi edhe pjesëmarrja e hoxhallarëve dhe mysafirëve të tjerë, nga xhami të tjera për rreth dhe më largë.
Në mesin e hoxhallarëve ishin: Mr. Ferit Zeqiri, imam në xhaminë shqiptare në qytetin e Regensdorfit, i cili, njëherit, edhe përshëndeti të pranishmit në emër të Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, Alivebi Medii, hfz. Imran Ibishi, Bujamin Ibishi, Abdulhadi Shaqiri, Mevlan Kamberi, Riza Halimi.
Më pas, kryetari i xhamisë, H. Bekim Berisha, mori fjalën dhe falënderoi të gjithë të pranishmit, duke veçuar mysafirët, por edhe të gjithë ata që kontribuuan në organizmin dhe mbarëvajtjen e tribunës. Ai, në shenjë respekti, mirënjohje dhe falënderimi, penalistëve u dhuroi edhe nga një punim të gravuar me logën dhe emrin e El-Hidajes.
Ajo që më së tepërmi u theksua në këtë mbrëmje ishte fakti se, ajo që sot na imponohet si një platformë e Shtetit islamik, nga e ashtuquajtura organizatë e ISIS, nuk ka të bëjë asgjë më Islamin dhe të vërtetat e mëdha të tij.
Edhe përskaj natyrës së veçantë të temës, që kërkon me tepër kohë dhe koncentrim, përsëri ligjëruesit arritën, me mjeshtrinë e tyre, ta mbajnë të zgjuar kërshërinë dhe dëshirën e dëgjuesve për të mësuar më shumë lidhje me natyrën dhe konceptin e shtetit sipas islamit.
Programi përfundoi me këndimin e disa ajeteve nga Kur’ani dhe më pas, xhamati, zbritën në pjesën e kafeterisë, ku shfrytëzuan rastin që të shijojnë edhe ushqimin dhe ëmbëlsirat e përgatitura enkas për këte shënim nga xhemati i xhamisë El-Hidaje.
(El-Hidaje)