Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.
***
وَمَن يَبْتَغِ غَيْرَ الْإِسْلَامِ دِينًا فَلَن يُقْبَلَ مِنْهُ وَهُوَ فِي الْآخِرَةِ مِنَ الْخَاسِرِينَ
“E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshëpruarit.”(Ali Imra, 85)
Të dashur xhemat, dje patëm një ditë shumë të rëndësishme dhe historike për kombin tonë. Ishte pra 28 nëntori, që njihet ndryshe si Dita e Flamurit ose dita e pavarësisë së Shtetit shqiptar.
Ky nëntor, dhe kjo hutbe, sot shënojnë dy fenomene interesante. Fenomeni i parë ka të bëjë me disa intelektualë, mendimtarë, e kryetarë partish, të cilët vazhdojnë akoma të mbajnë qëndrime nënçmuese ndaj fesë së shumicës së popullit të tyre, e që është Islami. Mendësia e të qenët dorë-lëpirës dhe shërbëtor i më të fuqishmit, vështirë të hiqet prej mentalitetit tonë. Kështu ndodh që kur disa prej intelektualëve dhe udhëheqësve tanë takohen me të krishterët, u shitën më të krishterë se sa edhe vetë Papa.
Nga ana tjetër kemi fenomenin e dytë. Dëgjojmë dhe lexojmë se si ka tendenca që të paraqitet Islami me prapashtesa të caktuara, si provinciale, ideologjike, doktrinare, etj. Prandaj dhe sot ballafaqohemi me Islamin shqiptar, me Islamin evropian, amerikan, arab; me Islamin vehabist, sufist, hanefist; me islamin tradicional dhe modern.
Të dashur vëllezër e motra, Islam të këtillë nuk ka. Sipas qëndrimit më të drejtë, kemi shpjegime, botëkuptime dhe qasje të ndryshme mbi Islamin, siç mund të kemi një mendim shqiptar, një mendim bashkëkohor, gjegjësisht modern, por assesi një Islam të sistemuar në këtë frymë, duke e pas parasysh faktin se Islami nuk ndryshon nga vijat e përgjithshme që i ka caktuar Allahu ynë i Plotfuqishëm. Nëse duam më mirë ta kuptojmë se si përkthehet kjo, atëherë shikoni bektashizmin. Ky sekt, është i vetmi në botë që ka përmbajtje të konsiderueshme nga shqiptarët dhe e vetmja “fe” që qendrën e saj botërore e ka në Shqipëri. Bektashizmi është tipik një Islam shqiptar. Pra, a është ky Islami i vërtetë? Islami i Ehli Sunetit dhe Xhematit?
Kohëve të fundit kemi edhe një tendencë tjetër e kjo është paraqitja e Islamit modern. Në fakt, a e kemi pyetur vetveten se ç’do të thotë të jesh musliman modern? A mos vallë me modernizim synojmë ta ndryshojmë fenë e Zotit? Kush e di, ndoshta një ditë do të dëgjojmë se si kërkohet që një zëvendës-imam të jetë një grua. Apo të dëgjojmë sesi mohohen hadithet e Pejgamberit a.s., dhe mësimet e Islamit me që ato nuk përshtaten me kohën dhe logjikën. A mos vallë me modernizim mendojmë t’i ndryshojmë kohët e namazit, apo xhamitë t’i bëjmë klube dëfrimi?
Xhemat i respektuar, koha e modernitetit ka kaluar. Ne sot jetojmë në epokën postmoderne. Ata që flasin sot për modernizëm, ata dëshirojnë vetëm të na kthejnë mbrapa. Ne dëshirojmë të ecim përpara dhe të zëmë vend të merituar në rrethin ku jetojmë, por assesi duke ndryshuar lëkurën, e as duke vënë maskën. Fundja, sa më origjinal të jemi, aq më mirë do kuptohemi nga të tjerët. Sa më mirënjohës të jemi ndaj traditës tonë, aq më respektues do të jemi prej të tjerëve.
Ehli Suneti dhe Xhemati besojnë se ka vetëm një Islam të vërtetë. Kjo është e vërtetuar në Kuran dhe Hadith. Në një hadith që përcjell Ibën Mesudi, radijallahu anhu, thotë: “Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem bëri një vijë e pastaj tha: “Kjo është rruga e drejtë e Allahut”,- pastaj bëri disa të tjera në të djathtë dhe në të majtë e pastaj tha: “Nuk ka asnjë prej këtyre rrugëve përveç se në të është nga një shejtan, i cili thërret në te.”, pastaj lexoi fjalën e Allahut: “Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë pra, përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni.” (Enam, 153) .
(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur më 29.11.2013, nga imami Mehas Alija)
(El-Hidaje)