Vallë, a nuk mendojmë pak për vetveten?

 
HytbeMehas Alija

Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.

***

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا عَلَيْكُمْ أَنفُسَكُمْ ۖ لَا يَضُرُّ‌كُم مَّن ضَلَّ إِذَا اهْتَدَيْتُمْ ۚ إِلَى اللَّـهِ مَرْ‌جِعُكُمْ جَمِيعًا فَيُنَبِّئُكُم بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ

“O ju që besuat, ruajeni veten tuaj! Ai që ka humbur, nuk ju dëmton juve kur jeni në rrugë të drejtë. Kthimi i të gjithë juve është te All-llahu dhe Ai ju njofton për atë që vepruat.“ (El-Maide, 105).

Vëllezër e motra të nderuara, Allahu ynë i Lartësuar në shumë vende në Kur’an, robërit e tij të sinqertë, i veçon me fjalët “O ju që keni besuar”. Këto fjalë në Kur’an përsëriten në më shumë se 80 herë. E kjo donë të thotë se dashuria dhe kujdesi i Allahut është mbi ata që Ai i do. E kur dikush e do dikë, ai e lajmëron atë për gjithçka që është e mirë dhe e dobishme për të, si dhe për rrugën që shpiejnë për tek lumturia e vërtetë.

Ibn Abbasi r.a., thotë: “Zbatoni urdhëresat dhe largohuni prej ndalesave, kur vijnë pas fjalëve “o ju që keni besuar”.

Le të shohim pra pak se ç’na kërkon Allahu xh.sh. në ajetin që lexova në fillim: O ju që besuat, ruajeni veten tuaj! Ai që ka humbur, nuk ju dëmton juve kur jeni në rrugë të drejtë. Kthimi i të gjithë juve është te All-llahu dhe Ai ju njofton për atë që vepruat.”

Le ta kthejmë vëmendjen te fjalët: “ruajeni veten tuaj”. Pra, sikur Zoti na thotë: O ju që besuat, kujdesuni shumë për pastrimin e shpirtit tuaj, okupohuni me të metat tuaja, shikoni qëndrimet negative, merruni me gabimet dhe dobësitë e juaja.

Muhammedi a.s., thotë: “Lumë për atë që merret me të metat e veta, e i harron të huajat.”

Njeriu e ka shumë të vështirë që të mendoj për veten dhe rreth veprimeve të tij në shoqëri, për shkak se mendon se ai është më i dituri dhe se vetëm atë duhet dëgjuar. Përse ndodh kjo? Kjo ndodh për shkak se shumë njerëz për veten e tyre ndërtojnë përshtypje të mira, dhe se shoqërohen gjithmonë me ato njerëz që i lavdërojnë dhe i lartësojnë, ndërkoh i prishin marrëdhëniet me ato njerëz që i kritikojnë dhe i lajmërojnë për negativitetet dhe qëndrimet e gabuara.

Një veprim i tillë bie ndesh me mësimet dhe edukatën islame.

Hz. Omeri r.a. thotë: “Dhurata më e mirë për mua është ajo kur dikush ma tërheq vërejtjen për një qëndrim timin të gabuar.”

Kur nuk mendojmë për vetveten, kjo atëherë shkakton rezultate të pakënaqshme dhe plot fatkeqësi. Më përpara feja nuk na ka interesuar në atë masë sikur që është sot. Nuk na ka interesuar se çfarë rëndësie ka feja jonë në botë dhe cili është qëndrimi i njerëzve ndaj Islamit. Ja pra, për shkak të një pakujdesie të tillë, sot muslimanët vuajnë nga kurthet e të paudhëzuarve. Përse? Për arsye se nuk e kuptuam drejtë porosinë e ajetit, në të cilin Allahu xh.sh. thotë: “Nëse ju jeni në rrugë të drejtë, nuk mund t’ju dëmtojë ai që ka humbur vetveten.”

Të dashur xhemat, duhet së pari ta ndërtojmë çdo gjë të nevojshme brenda vetvetes, e pastaj të shikojmë te të tjerët. Pa e rregulluar shtëpinë tonë, nuk mund t’ua përmirësojmë të tjerëve. Shtëpia jonë është vetë bota jonë. Një botë, në të cilën, secili prej nesh, ka hise.

Allahu ynë i Madhërishëm, në suren Er-Rum, në ajetin 8, thotë: أَوَلَمْ يَتَفَكَّرُوا فِي أَنفُسِهِم – Vallë, a nuk mendojnë ata për vetveten? Një shok i pejgamberit a.s., Ebu Derdaja r.a., porosit: “Mos i ngarkoni njerëzit me detyra të cilat nuk ua ka caktuar Allahu, mos i gjykoni njerëzit krahas Zotit, kujdesuni për vetveten dhe mos i nënçmoni të tjerët. Kush këtë e bën, le ta di, pra, se gjatë kohë ka për të jetuar i pikëlluar dhe i zemëruar.”

Të merresh me të metat e të tjerëve është një ngarkesë e madhe. Rruga për në shtëpinë e Xhennetit është e gjatë dhe e vështirë, andaj dhe lehtësoje atë duke u marrë më shumë me vetveten. Muhammedi a.s., një ditë Ebu Dherrit r.a. i tha: “Liroje shpinën tënde nga bara, sepse rrugëtimi për tek qëllimi më i lartë është shumë i vështirë.”

Për fund, shfrytëzoj rastin që haxhilerëve tanë të sivjetshëm, që na janë kthyer shëndosh e mirë, t’ju urojë haxh të pranuar dhe lumturi në jetë. Allahu ua pastë pranuar ibadet dhe lutjet, inshallah, dhe juve të dashur xhemat ju uroj ditë të këndshme pushimi.

 

(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 01.11.2013)

(El-Hidaje)