Adhuroje Allahun sa të jesh gjallë

Hytbe

Mehas Alija

Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.

***

وَاعْبُدْ رَبَّكَ حَتَّىٰ يَأْتِيَكَ الْيَقِينُ ﴿٩٩

“Dhe adhurojë Zotin tënd, sa të jesh gjallë, pra deri në vdekje”. (El-Hixhër, 99)

Të nderuar vëllezër e motra, më lejoni që fillimisht t’ua uroj edhe njëherë festën e Kurban Bajramit. Sot është dita e fundit kur përfundon periudha e haxhit, e bajramit dhe e tekbireve të teshrikut. Njëkohësisht, përfundojnë edhe angazhimet e mëdha të besimtarëve në prag të dy festave vjetore që i kanë. Atëherë, dua të pyes se çfarë duhet të bëjmë më tutje? Ramazani i ardhshëm është larg. Haxhi edhe më shumë. Po vallë, sa larg e kemi Zotin? Nëse u mësuam me Allahun gjatë këtyre muajve, atëherë a do të thotë kjo që tani, dalë nga dalë, të tërhiqemi prej adhurimit dhe përkushtimit ndaj Tij? Tani i kaluam edhe dy bajramet tona, por çfarë fituam prej tyre?

Të dashur xhemat, nga bajramet do të duhej të kishim fituar vlera dhe horizonte të reja besimi. Nga Bajramet do të duhej të ishim familjarizuar me të mirën dhe të bukurën, me mësimin e Zotit të Madh. Me bajramet do të duhej ta kishim flakur ankthin e jetës dhe t’i ishim kthyer hijes së besimit në Allahun Fuqiplotë. E këndshme është jeta kur jetohet nën hijen e Zotit, e këtë do të duhej ta kishim arritur deri më tani. A na kanë mësuar bajremet se nuk mund të jetohet i ndarë prej Zotit? Nëse po, atëherë ne nuk kemi rrugë tjetër, vetëm se ditët në vijim t’i kthejmë në ditë inspirimi për fitore të reja. Koha nga sot e tutje duhet të dëshmojë për përmirësimin tonë, sepse bajramet do të duhej të ishin rast për t’u zgjuar nga prangat e përgjumjes. Të eturit do të duhej të kishin përfituar mjaftë nga burimet e pashtershme të bajrameve.

Të dashur xhemat, çka pas gjithë kësaj periudhe të bujshme ibadeti, sakrifice e përkushtimi? Zoti në fillim të ajetit që e përmenda thotë: Adhuroje Zotin tënd sa të jesh gjallë. A mundet që ne sot t’i pohojmë Allahut: Po, ja Allah, jemi të gatshëm të të adhurojmë me mish e me shpirt, deri sa të jemi gjallë. A e ndjejmë këtë sot në zemër? A e dimë rëndësinë e kësaj që jemi duke e thënë?

Krejt kjo periudhë adhurimi e përkushtimi duhet të ketë rezultuar me ndërrimin e gjendjes sonë shpirtërore, ndjesore e intelektuale. Sofra e bajrameve do të duhej të na kishte bashkuar familjarisht, ndërsa urimet e njëri tjetrit, të na kishin pajtuar vëllazërisht. Sadakatul fitri dhe ndarja e mishit të kurbanit do të duhej ta kishin ujitur e rritur dashurinë midis nesh.

Vëllezër e motra, në Islam, çdo adhurim ka qëllimin e vet, kurse qëllimi i krejt adhurimeve është njohja dhe afrimi me Allahun.

Për ta adhuruar Allahun sa të jemi gjallë, duhet në radhë të parë, fenë e Tij ta gjallërojmë midis nesh. Feja nuk do vetëm respekt, por edhe përjetim. Me faljen e një namazi dhe një bajrami nuk mund të përjetohet feja. Kjo është vetëm një vegim rasti. Feja do përjetuar çast pas çasti dhe ditë për ditë.

Për në fund dua ta theksoj edhe këtë porosi: le të jenë këto bajrame raste për t’iu kthyer më shumë vetvetes, se sa të pyetemi për të tjerët, sepse Zoti nuk ka për të na pyetur për obligimet e të tjerëve, e as për të metat dhe gabimet e të tjerëve. E Allahu në Kur’anin fisnik thotë: وَلَا تَزِرُ‌ وَازِرَ‌ةٌ وِزْرَ‌ أُخْرَ‌ىٰ ۗ – “Askush prej jush nuk do ta bart barrën e tjetrit.” (El-Isra, 15).

(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 18.10.2013)

(El-Hidaje)