Hutbeja e Kurban-bajramit për vitin 2013

Hytbe

بِسْمِ اللَّـهِ الرَّ‌حْمَـٰنِ الرَّ‌حِيم

إِنَّا أَعْطَيْنَاكَ الْكَوْثَرَ‌ ﴿١﴾ فَصَلِّ لِرَ‌بِّكَ وَانْحَرْ‌ ﴿٢﴾ إِنَّ شَانِئَكَ هُوَ الْأَبْتَرُ‌ ﴿٣﴾

„Ne, vërtet, të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd! E s’ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur.“ (Keuthe, 1-3).

„Kush ka mundësi të therë kurban, dhe këtë nuk e bën, atëherë le të mos i afrohet namazgjasë sonë“ – Hadith.

Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër. Amin!

Të nderuar vëllezër, sot është ditë bajrami, në të cilën haxhinjtë nga e gjithë bota që kanë shkuar në Meke, janë duke i kryer edhe ritet e fundit të haxhit. Shkuan atje, në luginën e Mekes së bekuar për ta ripërtërirë besën e tyre dhënë Zotit të gjithësisë, për ta vënë dorën e tyre te guri i zi në shenjë respekti dhe përulësie ndaj ndjekjes së Fjalëve të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, Muhammedit a.s.

Që t’i vjelim frytet e jetës, të kësaj bote dhe të Ahiretit, na nevojitet vullnet dhe dëshirë e madhe, aq sa edhe ju dashtë hz. Haxherës në kërkimin e ujit të jetës, duke u mbështetur në Allahun, mundin dhe forcën e intelektit të saj. Bota të cilën e njohim dhe e jetojmë, është e ndërtuar mbi themelet e besimit. Këto janë ato themele të cilat prej nesh kërkojnë që ta disiplinojmë vetveten, ta pastrojmë shpirtin tonë, ta karakterizojmë zemrën tonë me principet më të bukura të zemërgjerësisë, dashurisë, vëllazërisë, solidaritetit, faljes dhe respektit të ndërsjellë. Tërë këto vlera, në gjirin e saj i bartë feja e bukur islame. Kjo fe, që për njeriun është sikur ushqimi, e ushqen dhe e forcon atë shpirtërisht, dhe asnjëherë nuk e lë në qorrsokak, madje edhe në momentet më të vështira të jetës, ajo i jep ilaçin e shpresës dhe të mëkëmbjes.

Allahu i madhëruar na ka nderuar me Islamin dhe me arsyen, dhe nga ne kërkon që të kujdesemi për vetveten, për të shikuar se çfarë kemi përgatitur për nesër. Islami nuk është vetëm një aspiratë, diçka që i përket vetëm së ardhmes dhe as diçka e groposur në të kaluarën, sikur që nuk është as çështje private. Islami është stil dhe mënyrë jetese. Muslimanët janë popull që vazhdon të jetojë dhe të dëshmoj për mesazhin e Zotit në histori dhe në këtë kohë. Ne jetojmë në një vend ku fetë dhe kulturat janë të ndryshme, andaj, njohja e traditës, kulturës dhe fesë sonë përbën përcaktuesin e fatit tonë. Ne do të ngelim shqiptarë e mërgimtarë të mirë vetëm atëherë kur fenë dhe traditën tonë të bukur shqiptare do ta ruajmë dhe kultivojmë me dashurinë më të madhe.

Të dashur vëllezër, këtë ditë bajrami e bënë edhe më madhështore therrja e kurbanëve në emër të Zotit, për t’iu afruar Atij dhe njerëzve. Askurrkush nuk mund ta duaj Zotin, nëse nuk i do njerëzit. Kurbanet janë simboli i dashurisë dhe sakrificës, simbol ky që buron na zanafilla e hershme njerëzore. Dy bijtë e Ademit a.s., therën kurban, dhe si shkak ishte dashuria. Edhe Ibrahimi a.s., preu kurban, ku si shkak, gjithashtu, ishte dashuria. Muhammedi a.s., po ashtu, preu kurban për vetveten, për familjen e tij dhe për të terë pasuesit e tij, deri në Ditën e Gjykimit. Ai nuk e bëri këtë vetëm se nga dhembshuria dhe dashuria që gufonte nga zemra e tij për të gjithë njerëzit. Edhe ne sot presim Kurban nga ajo ndjenjë dashurie që fillon me bijtë e Ademit a.s., gërshetuar me gatishmërinë ibrahimiane, dhe që përfundon me dhembëshurinë e Muhammedit a.s. për jetimët, skamnorët dhe njerëzit përgjithësisht me nevoja.

Të dashur besimtarë, le të jenë këto sheshet tona sot, sheshe që do të plasin pranverën shpirtërore midis nesh. Le të bëhen sot këto sheshe, sheshe të besimit, paqes dhe të kthimit tonë kah Allahu ynë i Madh. Porosia e Haxhit dhe e therjes së kurbanëve është: O njerëz, kështu si jeni bashkuar sot fizikisht, kështu duhet të bashkoheni edhe shpirtërisht. Kështu si jeni tubuar sot, kështu do të tuboheni një ditë përpara Zotit, andaj kini kujdes se si do të dilni përpara Tij. O njerëz, kush e do lidhjen me Zotin, ai duhet ta ketë forcuar atë së pari me familjen, farefisin dhe me njerëzit, andaj dhe shfrytëzojeni sot sofrën e Bajramit për bashkimin familjar dhe urimin e njeri tjetrit për pajtimin vëllazëror.

O Zot i Madhërishëm, të lutemi Ty, që dita e sotme të jetë ditë paqeje dhe lumturie për të gjithë muslimanët në mbarë botë. Në mënyrë të veçantë bëjmë dua për muslimanët në vendet tona etnike, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Preshevën, Maqedoninë, Çamërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e zi, etj. Vëllezër të nderuar, ju që gjendeni në këtë musal-la, dhe të gjithë muslimanëve dhe muslimaneve që gjenden në këtë vend, ju uroj Bajram të lumtur, duke sjellë gjithashtu edhe urimin e Këshillit të xhamisë tonë El-Hidaje, për një jetë me fat dhe të rahatshme sot e përgjithmonë. Amin.

Urime edhe njëherë Festa e Kurban Bajramit dhe u gëzofshin të gjithë muslimanët, kudo që janë anë e kënd botës, sot, nesër e pasnesër.

 

***

Liebe Brüder und Schwestern, Ich und die Moschee El-Hidaje wünschen euch einen schönen und gesegneten Bajram, voller Freude mit eurer Familie. Allah xh.sh. segne euch und eure Familien. Eid Mubarak. Bajram Sherif Mubarek Oslun!

 

Imam Mehas Alija | Hutbeja e Kurban – Bajramit | 15.10.2013 | St. Gallen | Zvicër

(El-Hidaje)