Me 24 dhe 26 shtator, prifti Marcus Schaton, mësues feje në dy shkollat lokale, Hof dhe Kreuzbühl, të qytetit të St. Gallenit në Zvicër, vizituan Bashkësinë Islame El-Hidaje.
Qëllimi i vizitës ishte që nxënësit e komunitetit të krishterë të informohen më për së afërmi me gjendjen në xhami, si funksionon ajo dhe çfarë në të vërtetë e përbën atë. Gjithashtu, qëllim i tyre ishte edhe njoftimi rreth mësimeve dhe karakteristikave themelore të Islamit.
Klasat i priti Imami, hfz. Mehas Alija, dhe kryetari i Këshillit të xhamisë, zt. Qemal Rushiti, të cilët fillimisht iu uruan mirëseardhje dhe më pastaj i shëtitën në të gjitha pjesë e xhamisë, ku nxënësit u informuan për strukturën e objektit fetar të muslimanëve.
Interesimi ishte i madh dhe pyetjet, po ashtu, ishin të shumta. Duke e parë në formë praktike se si luten dhe si besojnë muslimanët, nxënësit nuk nguruan që edhe ata për një momentin të përjetojnë formën e lutjes kryesore gjatë ditës, siç është falja e namazit.
“Çfarë paraqet Minareja për muslimanët; pse muslimanët nuk e konsumojnë mishin e derrit; pse femrat muslimane duhet të mbajnë mbulesë, respektivisht shami; a janë vërtetë muslimanët terroristë; a duhet të kihet frikë prej muslimanëve; a mundet një musliman apo muslimane të shkoj në pishinë; çfarë mendojnë muslimanët për hebrenjtë dhe të krishterët, etj.”, janë vetëm disa nga çështjen të cilat u diskutuan së bashku në klasën e Mektebit të xhamisë.
Prifti Marcus Schaton, në letrën dërguar imamit të xhamisë, si shenjë falënderimi, shkruan: “Ishte kënaqësi e madhe që ne ta vizitojmë Bashkësinë tuaj. Në erdhëm me shumë pyetje dhe u kthyem me shumë përgjigje dhe me përjetime të reja. Është bukuri që ne, në lagjen tonë, të kemi fqinj kaq të hapur.”
Në fund nxënësit u gostitën me nga një pije freskuese në kafiterinë e xhamisë, ku një pjesë e tyre shfrytëzuan rastin për të bërë edhe një lojë bilardo.
Vizitat e këtilla, me karakter bashkëpunimi dhe njohje me njëri tjetrin, janë të shpeshta në xhaminë El-Hidaje dhe ato nuk përbëhen vetëm se nga shkollat, por edhe nga institucione të tjera kantonale.
(El-Hidaje)