Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.
***
وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا ۚ وَإِنَّ اللَّـهَ لَمَعَ الْمُحْسِنِينَ ﴿٦٩
“Ata, të cilët dhanë mundin e tyre për hir Tonin, Ne, me siguri, do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se Allahu është në krahun e besimtarëve.” (Ankebut, 69).
Të dashur vëllezër e motra, haxhi ka rite, të cilat, ndoshta, prej shumë njerëzve nuk kuptohen edhe sa duhet. Mirëpo, sërish, ato kryhen dhe realizohen me besimin, vullnetin, dhe dëshirën më të madhe, pasi që besimtarët janë të bindur se çdo gjë që ka caktuar Allahu për njerëzit, aty duhet të ketë urtësi dhe dobi të mëdha.
Si rrjedhojë e kësaj themi: Koha e haxhit nuk është vetëm për ata që shkojnë të vizitojnë Qabenë, porse kjo kohë është e bekuar për të gjithë Ummetin, sidomos 10 ditshi i parë i muajit Dhul Hixhe. Ata që sivjet nuk do të kenë mundësi për ta kryer haxhin, një “haxh” të vogël mund ta kryejnë edhe aty ku jetojnë.
Haxhi është një provim për këtë botë dhe për Ahiretin. Për t’iu nënshtruar provimit dhe për ta kaluar me sukses atë, duhet kujdes dhe përgatitje paraprake. Andaj, nga sot e tutje, le të ndahemi prej mëkatit dhe le të përgatitemi për dramën e haxhit, ku rol kemi të gjithë ne. Kështu thotë edhe një thënie e urtë popullore: “Kush nuk e merr Qabenë me vete prej aty ku jeton, nuk do ta gjej dot në Mekë”.
Ndër gjërat e para që mund të vendosësh t’i bësh, janë: Pendimi dhe falja e namazeve rregullisht; nëse je nga ata që e pinë duhanin, tani është koha të fillosh të mendosh ta lësh atë; nëse thashethemet janë pjesë e komunikimit tënd, tani fillo të largohesh prej tyre; nëse ke një lidhje të këputur farefisnore, sot është koha ta rikthesh atë; nëse në shtëpinë tënde ka gjëra të ndaluara, tani është momenti që t’i largosh ato; dhe nëse më parë bëje gjunahe, sot është rasti i volitshëm t’i braktisësh dhe të pendohesh për to.
Ashtu si haxhiu në Haxh që braktis, madje, edhe gjërat e lejuara jashtë haxhit, ne këtu mund t’i braktisim gjërat e ndaluara, të cilat, thuajse, janë bërë gjëra normale dhe të këndshme për ne.
Ju lutem, vëllezër e motra, t’i shfrytëzojmë këto ditë të bekuara dhe të bëjmë kthesën vendimtare për jetën tonë. Ndryshimi duhet të vijë, pranvera shpirtërore duhet të plas midis nesh.
Kështu do ta kënaqim Allahun tonë të Madh. Mbajeni në mend këtë porosi të fundit të kësaj hytbe: “Ashtu sikurse veprat e mira shkaktojnë kënaqësinë dhe afrinë e Allahut, ashtu edhe mëkatet shkaktojnë hidhrimin dhe distancimin e Tij.” Atëherë, le ta kënaqim Zotin tonë me punët tona të mira, në këto ditë të mbara, e të bekuara.
(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 27.09.2013)