Vepra e besimtarit nuk ka kohë përfundimi

Besmeleja

Mehas Alija

Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.

قُلْ إِنِّي أُمِرْ‌تُ أَنْ أَعْبُدَ اللَّـهَ مُخْلِصًا لَّهُ الدِّينَ

وَأُمِرْ‌تُ لِأَنْ أَكُونَ أَوَّلَ الْمُسْلِمِينَ

Thuaj: “Unë jam i urdhëruar ta adhuroj Allahun, të jem i sinqertë në adhurimin ndaj Tij! Dhe jam i urdhëruar të jem i pari i muslimanëve.” (Zumer, 11-12).

Të dashur vëllezër e motra,

Sapo na kaloi një muaj i veçantë i shumë mirësive dhe bagative. Çdo ditë e tij ishte një thesar i çmuar, të cilin kishte mundësi ta blinte kushdo, i riu dhe i moshuari, i sëmuri dhe i shëndoshi, i pasuri dhe i varfëri, pushtetari dhe ai pa pushtet.

Për ta fituar atë thesar, për hir të Zotit agjëruam me besim të plotë dhe duke shpresuar për falje e mëshirë. U munduam që me përkushtimin tonë, të jemi më afër Allahut të Madhërishëm dhe më afër njerëzve, sidomos atyre në nevojë.

E kontrolluam gjuhën dhe nuk ramë pre e përgojimit, thashethemeve, shpifjes dhe gënjeshtrës. E braktisëm shtratin në mes të natës për ta ndier më shumë ëmbëlsinë dhe kënaqësinë e adhurimit dhe për të fituar begatitë e syfirit.

Shfletuam Kur’anin më shumë se në ditët e tjera dhe u thelluam më shumë te mësimi dhe porosia e tij, si dhe u munduam që çdo ditë të mësojmë diçka të re. E vizituam më shpesh xhaminë dhe e përmendëm më shumë emrin e Zotit të Lartësuar.

U munduam të jemi më të dashur, më të butë e më paqësorë me njeri-tjetrin. E kërkuam dhe u munduam që Natën e Kadrit ta kalonim me adhurim dhe t’i luteshim Zotit që të caktonte më të mirën për ne.

Tani, xhemat i shtrenjtë, çfarë më tutje dhe si duhet kaluar koha pas Ramazanit?

E para gjë, muslimani pas ramazanit duhet të ngelet përsëri ramazanli, por tani duke “agjëruar” nga gjynahet dhe punët e këqija. Kurse atyre që kanë vendosur t’u kthehen gjynaheve pas këtij muaji të bekuar, me dhembshuri e mëshirë, u bëj thirrje: Kini kujdes dhe kini frikë Allahun, sepse jeta është e shkurtë dhe e limituar.

I mjafton shpirtit si mashtrim ecja pas rrugëve të humnerës, devijimit dhe indiferentizmit ndaj fesë Islame. Le të pendohemi njëherë e përgjithmonë me një pendim të sinqertë e të vërtetë, në të cilin nuk ka kurrë kthim prapa në gjynahe, dhe kjo inshaAllah është shenjë për pranimin e veprave tona të mira.

Ia vlen të ndalemi dhe të mendojmë rreth fjalës së asketit të Basrës, Hasen el-Basriut, kur thotë: “Vepra e besimtarit nuk ka kohë përfundimi, përveç vdekjes”, pastaj lexoi fjalën e Allahut: وَاعْبُدْ رَ‌بَّكَ حَتَّىٰ يَأْتِيَكَ الْيَقِينُ   “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” (El Hixhr: 99).

Andaj, këshilloj vetveten dhe juve: jeta e muslimanit pasqyrohet në fuqinë e besimit të tij. Ai është i gatshëm që në çdo moment t’i nënshtrohet Allahut dhe t’i jap llogari. Për këtë vetëdije fton edhe Kur’ani, ku thotë: Thuaj: “Unë jam i urdhëruar ta adhuroj Allahun, të jem i sinqertë në adhurimin ndaj Tij! Dhe jam i urdhëruar të jem i pari i muslimanëve.” (Zumer, 11-12).

Për në fund, urime dhe me fat festa e Fitër Bajramit. Të gëzuar rrofshim në dunja dhe në ahiret.

(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 09.08.2013, nga imami hfz. Mehas Alija)

(El-Hidaje)