Hutbeja e Fitër Bajramit

Hytbe

Mehas Alija

“Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve.” (Enam, 162)

Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.

Të dashur xhamat,
E vëllezër të nderuar
,

Ramazani është muaji i cili njeriut i shërben më së shumti për ta rishikuar raportin e tij ndaj vetvetes, ndaj familjes, farefisit, shoqërisë, bashkësisë dhe ndaj shoqërisë në përgjithësi. Muslimani këtë mundohet që ta arrijë sidomos në Ramazan, pasi që e di se, pikërisht në këtë muaj, mundësitë për t’u afruar me Allahun janë më të lehta dhe më të realizueshme, dhe se një ditë përpara Zotit do të shpalos tërë atë potencial veprash që ka kryer në këtë botë. Përmes muajit të bekuar të Ramazanit, muslimani dhe muslimaneja përjeton rilindjen shpirtërore dhe fizike.

Ramazani mund të konsiderohet si mjeku më i miri i shtëpisë, i cili erdhi që të na e shërojë shpirtin me agjërim, të na e zgjojë shpirtin me syfir, të na e gëzojë atë me iftar, të na e këndell atë me namazin e teravive, të na e zbus atë me zaqatin, të na e hap atë me anë të bisedave vëllazërore, të na e pastrojë atë nga urrejtja si dhe të na e shëroj atë nga mendjemadhësia. Prandaj dhe sot janë të lumtur ata që iu përgjigjën thirrjes së Zotit që me anë të agjërimit të gjejnë paqen, qetësinë e rehatinë, dhe këtë duke e bëre me vetveten, familjen dhe me të tjerët. Janë të lumtur se me anë të agjërimit, besimtarët forcuan dashurinë ndaj Zotit dhe ndaj njerëzve.

Prandaj, kemi shumë arsye që ne sot, në ditën e parë të Fitër Bajramit, të jemi të lumtur dhe të çliruar, pasi që na u dha rasti ta testojmë vetveten, duke u munduar të punojmë punë të mira dhe dobishme.

Xhemat i shtrenjtë, sot është dita e Fitër Bajramit. Festa e lutjeve të sinqerta dhe të pastra. Sot është dita e gëzimit dhe lumturisë për ata persona të cilët gjatë tridhjet ditëve të Ramazanit arritën ta njohin vetveten dhe dritën hyjnore. Në këtë ditë feste, melaqet luten e thonë: Urime o besimtarë, Zoti ua ka falur mëkatet e kaluara, andaj kujdesuni për ditët që ju kanë mbetur nga jeta juaj. Në botën islame sot vërehet një gëzim dhe hare e veçantë. Që para disa ditëve janë zbukuruar rrugët e qyteteve dhe shtëpitë janë pastruar e rregulluar për festën e madhe. Nëpër shtëpi janë përgatitur sofra për pritjen dhe gostitjen e familjarëve dhe mysafirëve. Fëmijët veshin rroba të reja dhe marrin shpërblimet e Bajramit, kurse të mëdhenjtë në shenjë falënderimi dhe devotshmërie e vizitojnë njëri tjetrin. Sot është dita e dinjitetit dhe krenarisë së muslimanëve.

Hazreti Aliu, r.a., ditën e Fitër Bajramit e krahason me ditën e ringjalljes. Ashtu sikur që në ditën e kiametit, e cila është një ditë që përcakton fatin, kur të gjithë presin llogarinë e veprave të tyre , edhe dita e fitër bajramit ka një botëkuptim të tillë. Dalja e njerëzve nga shtëpitë në ditën e Bajramit krahasohet me daljen e njerëzve nga varret në ditën e gjykimit. Qëndrimi i njerëzve për t’u falur dhe adhuruar Zotin krahasohet me prezencën e njerëzve para Zotit në ditën e Takimit, kurse kthimi i tyrë në shtepi krahasohet me shkuarjen e tyre në xhennet.

Kur njerëzit falin namazin dhe kthehen në shtëpitë e tyre, tek ta mbretëron kënaqësia e gëzimi, ndërsa fytyrat e tyre janë të buzëqeshura dhe të lumtura. Të gjithë janë optimistë në mëshirën dhe faljen e Zotit Fuqiplotë. Pejgamberi ynë i dashur, Muhammedi a.s., në lidhje me këtë thotë: “Kur besimtarët dalin nga shtëpitë e tyre për të shkuar në namaz, Allahu atyre u drejtohet me këto fjalë: O robërit e Mi, për Mua keni agjëruar dhe për Mua keni falur namazin, atëherë kthehuni në shtëpitë tuaja sepse jeni të falur dhe të mëshiruar.”

Të dashur vëllezër,

Bajrami është koha kur duhet të tregojmë dashuri të veçantë ndaj prindërve, fëmijëve, farefisit, fqinjëve dhe miqve. Bajrami është koha kur duhet të mendojmë për të sëmurët tanë dhe ta lusim Allahun që t’i shërojë ata; të mendojmë për punëtorët dhe të lusim Allahun që t’ju ndihmojë atyre; të mendojmë për të rinjtë dhe jetimët, për të robëruarit dhe për ata që vuajnë dënime, të mendojmë për të gjithë ata njerëz me zemra të mira që Allahu t’i ruaj prej çdo belaje dhe ngarkese. Bajrami është koha kur duhet të mendojmë për forcimin e lidhjeve tona vëllazërore, për shkak se ato janë të ndjeshme dhe prishen shpejt. Islami dhe kombi ynë ka nevojë për bashkimin e zemrave tona, ashtu siç kanë nevojë zemrat tona të afrohen me njëra tjetrën.

Nuk do të ishte e hijshme po ta përmbyllnim këtë hutbe pa i kujtuar me lutje edhe vëllezërit dhe motrat e mbarë botës islame, sidomos ata në Egjipt, Siri, Libi, Palestinë, Kinë, Burma, Turqi, etj. Allahu u ndihmoftë dhe i çliroftë prej çfarëdo lloj zullumi dhe padrejtësie.

Në fund, të dashur vëllezër, të gjithë juve nga zemra ju urojë festën e Fitër Bajramit, duke e lutur Allahun për shendetin dhe suksesin tuaj në jetë dhe në punë. Gjithashtu, në emër të kryesisë së xhamisë dëshiroj që t’ju përcjell mesazhin e urimit te të gjithë ju të pranishëm dhe te farefisi juaj, kudo qoftë ai: Në Zvicër, Kosovë, Preshevë, Maqedoni, Shqipëri, Bosnjë, Mal të Zi, apo në ndonjë vend tjetër.

Urime edhe njëherë Festa e Fitër Bajramit dhe u gëzofshin të gjithë muslimanët, kudo që janë anë e kënd botës.

 

(Hytbe e mbajtur me rastin e Fitër Bajramit në St. Gallen të Zvicrës, më 08.08.2013, nga imami i xhamisë El-Hidaje, Hfz. Mehas Alija.)

(El-Hidaje)