Së pari falënderojmë Allahun për të gjitha mirësitë që na i ka dhuruar, e më pastaj, salavat dhe selam i dërgojmë më të mirit të njerëzimit, Muhammedit s.v.a.s. Lusim Allahun e plotfuqishëm që familjen dhe shokët e tij t’i çmojë dhe vlerësojë, me dhuntitë e Tij më të begatshme, duke mos lënë anësh as edhe ata shpirtra të denjë, e që për objektiv patën vetëm kënaqësinë e Tij dhe rruajtjen e rrugës së ndershme dhe profetike.
***
“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi, pamësi.” (El-Isra, 1)
I dashur xhemat, ne gjatë ligjëratës në kursi treguam për disa aspekte dhe dimensione të kësaj ngjarjeje dhe mrekullie të jashtëzakonshme, siç është Israja dhe Mi’raxhi.
Nga ky vend i bekuar, do të doja të kapja vetëm një aspekt të Mi’raxhit. Nëse do ta shikonim me kujdes ajetin e parë të sures Isra, do të shihnim se Allahu i Madh ka përmendur shprehjen “rob”, e nuk specifikoi asnjë emër, madje as emrin e Muhamedit a.s., për të cilin edhe bëhet fjalë në ajetin e lartësuar.
Se çfarë ka dashur Allahu të thotë me këtë, Ai e di këtë më së miri, por ne mendojmë se me fjalët e Tij “Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës…”, e nuk tha “bi muhammedin”, sikur na thotë se secili rob i vërtetë i Allahut ka mundësi që ta përjetojë një udhëtim të tillë, duke e bërë atë vetëm shpirtërisht. Kur mund ta arrijnë këtë besimtarët? Kjo mund të arrihet vetëm gjatë namazit.
Zotëria i njerëzisë, Muhammedi a.s., ka thënë: “Namazi është miraxhi i besimtarit”. Kjo vërtetohet me faktin se besimtari i sinqertë, pas namazit vërtetë ndjehet i liruar nga brengat, shqetësimet dhe shpreh një tjetër performancë gëzimi dhe lumturie.
Gjithashtu, ajeti i kësaj sure përfundon me këto fjalë: “Vërtetë Allahu është dëgjuesi dhe pamësi i gjithçkaje”. Ky ajet na tregon edhe një arsye se pse erdhi deri te Mi’raxhi. Përmes këtyre fjalëve Allahu na tregon se Ai i pa të gjitha ato gjëra që i ndodhën Muhammedit a.s., siç ishin brenga, mërzia, tortura, mundimi, e skepticizmi, prandaj dhe e mori dhe ia tregoi ato gjëra që ka mundur t’i shoh vetëm syri i tij i bekuar, madje pa edhe vendet dhe ndëshkimet e armiqve të tij, të cilët ia krijuan tërë ato shqetësime.
Prandaj, vëlla i dashur, sa herë që edhe ti të biesh në situata të tilla depresioni, shqetësimi e brengosjeje, ktheju burimit, ktheju miraxhit, respektivisht ktheju namazit e sexhdesë. Aty do të gjesh ngritjen tënde, në sexhde, aty ku Zotin e ke shumë më pranë, dhe do të shohësh miraxhin e vërtetë me shpirtin tënd.
(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 07.06.2013)
(El-Hidaje)