Mehas Alija
Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.
***
فِي بُيُوتٍ أَذِنَ اللَّـهُ أَن تُرْفَعَ وَيُذْكَرَ فِيهَا اسْمُهُ يُسَبِّحُ لَهُ فِيهَا بِالْغُدُوِّ وَالْآصَالِ رِجَالٌ لَّا تُلْهِيهِمْ تِجَارَةٌ وَلَا بَيْعٌ عَن ذِكْرِ اللَّـهِ وَإِقَامِ الصَّلَاةِ وَإِيتَاءِ الزَّكَاةِ ۙ يَخَافُونَ يَوْمًا تَتَقَلَّبُ فِيهِ الْقُلُوبُ وَالْأَبْصَارُ
“Në xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe mbrëmje, njerëz të cilët shitblerja nuk i pengon për ta përkujtuar Allahun, dhe të cilët falin namazin dhe japin zeqatin dhe të cilët kanë frikë nga Dita e Kijametit, kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara.” (En-Nur, 36-37)
I dashur xhemat, vëllezër e motra, sot kemi një ditë të veçantë pushimi në këtë vend dhe lus Zotin që këtë ta kaloni sa më bukur. Ardhja juaj sot për të falur namazin e xhumasë tregon qartë se ne akoma duam Zot, duam xhami dhe duam bashkësi. Kjo tregon shumë qartë se ne e dimë ku është rruga e drejtë dhe ku mund ta marrim dritën e udhëzimit. Xhamitë janë shtëpitë e Zotit. Ato përfaqësojnë hapësirat e dritës dhe të shkëlqimit.
Gjithmonë më rri në mendje gjendja e gurbetçarit të viteve 80-ta e këndej. Kujtoj shumë vëllezër të asaj kohe, kur me tërë shtrëngatën e gurbetit dhe të lodhjes, mundoheshin ta ruajnë dritën e besimit. Kujtoni, njeriu i lodhur dhe i raskapitur, mundohej të bëtë gjellën e mbrëmjes, por mendjen e kishte te namazi. Ai mendonte edhe shumë gjëra më të thella: vallë, çfarë do të ndodh me fenë time, me moralin dhe hallin tim, me gjuhën dhe kulturën time, etj. Paraardhësit tanë në këtë vend, vërtetë, kishin hall rreth fatit të tyre, por deshi Allahu dhe punët nuk rrodh edhe shumë keq.
Sot, ne si brezi i ri, kemi trashëguar vlera të pamohueshme, të cilat nuk guxojmë t’i humbim aspak. Njëra prej tyre është edhe kjo xhami e bukur e jona. Kjo xhami është sakrifica më e madhe që ia kemi dhuruar këtij vendi. Kjo është dhurata më e çmuar që po e përcjellim te bijtë e bijat tona. Nëse do të kishte me çka do të lavdëroheshim te Allahu, do të ishte pikërisht sakrifica jonë që bëjmë për ta mbajtur funksionale këtë xhami, madje, pse të mos themi, se kjo xhami, për secilin që ka kontribuar qoftë edhe me një frangë, do të bëhët urë drejtë portës së Xhennetit.
Sipas fesë sonë, besimtari ka tri mburoja: Xhaminë, përmendjen e Allahut dhe leximin e Kur’anit. Pa më thoni, ju lutem, këto mburoja ku mund t’i hasim në një vend, pos në xhami?
Hasan El-Basriu, një dijetar i shquar, pati thënë: “Mehri për hyritë e Xhennetit është pastrimi dhe mirëmbajtja e xhamive”. Kurse Enes b. Maliku, sahabiu i ndershëm, ka pohuar: “Për njeriun që e sjellë në xhami, qoftë edhe një llambë, melaqet dhe Bartësit e Arshit, e lusin Allahun që t’ia falë gjunahet, derisa llamba të bëjë dirtë në xhami.”
Dije vëlla dhe motër e nderuar, se me çdo punë të hajrit dhe me kujdesin ndaj xhamive, do të kesh dobi të shumta, në Ahiret dhe në këtë botë. Sa i përket Ahiretit, përmenda diç pak më lartë. Shikoni tani se cfarë dobie kemi në këtë botë: Muhammedi a.s., na ka njoftuar se Allahu i madhërishëm thotë: “Unë ndonjëherë mendoj t’i dënojë banorët e tokës, (natyrisht për shakak të gjynaheve), mirëpo, kur shoh që n’mes tyre ka nga ta që ngrisin dhe ndërtojnë xhami, dhe që duhen mes veti, si dhe nga ata që ngriten herët në mëngjes dhe kërkojnë që t’i falë, atëherë tërhiqem nga dënimi synuar.” (Bejhekiu)
Të dashur xhemat, xhamia është dielli i Allahut që shkëlqen në këtë vend. Le të kënaqemi, pra, nën ngrohtësinë që ofron ky diell, i cili as nuk të djeg, e as nuk të lë në ngricë.
(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 29.03.2013)
(El-Hidaje)