Mehas Alija
Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.
***
وَفِي السَّمَاءِ رِزْقُكُمْ وَمَا تُوعَدُونَ ﴿٢٢﴾ فَوَرَبِّ السَّمَاءِ وَالْأَرْضِ إِنَّهُ لَحَقٌّ مِّثْلَ مَا أَنَّكُمْ تَنطِقُونَ ﴿ ٢٣
وَمَا مِن دَابَّةٍ فِي الْأَرْضِ إِلَّا عَلَى اللَّـهِ رِزْقُهَا –
“E në qiell është furnizimi juaj dhe ajo që ju premtohet. Pasha Zotin e qiellit e të tokës, kjo është një e vërtetë, ashtu siç është e vërtetë se ju flisni.” (Edh-Dharijat, 22-23).
Të dashur xhemat, vëllezër e motra, në xhumanë e kaluar folëm diçka në lidhje me nafakën dhe ju premtuam se do të vazhdojmë me disa reshta edhe këtë të xhuma. Sot do të mundohemi që të përgjigjemi rreth asaj se çfarë duhet të bëjë njeriu dhe si duhet të punojë për të fituar nafakën?
Çështja e parë që duhet gjithmonë patur në mendje është se nafaka vjen nga Allahu. Tregohet se një njeriut, i cili punonte në gërmimin e vareve dhe i vidhte gjërat e vlefshme që gjente në to, i kishte shkrepur mendja për t’u penduar tek Allahu. Ky njeri shkon tek dijetari i shquar dhe njeriu i mirë, Ebu Jezid El-Bistamiu, i cili ishte duke ligjëruar. Pasi që e tregoi historinë e vet, njerëzit e pyetën: Me siguri ke parë gjëra të çuditshme, pasi që paske bërë një vepër të tillë? I penduari vazhdon e thotë: Kam gërmuar rreth 1000 varre dhe në 900 prej tyre i kam parë se si fytyrat dhe trupat e njerëzve nuk janë të kthyer nga kibleja. Të çuditur nga ky isharet i keq, njerëzit e pyetën El-Bistamiun: Çfarë mendoni, cili ka mund të jetë shkaku i këtij halli? Ai ishte përgjigjur: Nëse do të kishte ndonjë shkak për këtë gjendje, atëherë me siguri që është dyshimi i njerëzve në premtimin e Allahut, se vetëm Ai e jep nafakën.”
Çështja e dytë ka bëjë me faktin se si duhet ta kuptojmë angazhimin tonë dhe sebepin e sjelljes së nafakës. Kur sheh ndonjë që punon, mundohet, studion, madje edhe rezikon, dhe e pyesësh se pse e bënë këtë, ai të përgjigjet: “Mundohem që ta sigurojë të ardhmen time”.
Po vallë ç’është e ardhmja për besimtarin? Për një besimtar “e ardhme” nuk janë vetëm ditët e shkurtra të kësaj bote. Besimtari sheh përtej kësaj dynjaje, e cila kalon sa çel e mbyll sytë. Për besimtarin “e ardhme” është edhe ajo që vije pas vdekjes. Pastaj, shumë kush mendon se nafaka vjen për shkak të punës, diplomës dhe angazhimit personal, duke harruar faktin se është Allahu Fuqiplotë ai që siguron të gjitha gjërat, përfshirë edhe furnizimin.
Tjetër është t’i sigurosh shkaqet, e ky është ibadet, e ndryshe është të mbështetesh eksluzivisht te shkaqet, e ky është gjynah.
Për ta kuptuar këtë më mirë, po sjellim një shembull: Një fëmijë i thotë babait se dëshiron t’i blej një embëlsirë. Babai i thotë: Do ta blejë, por nëse numëron deri në dhjetë. Këta shkojnë në shitore dhe babai i thotë fëmijës: Numro njëherë! Fëmija fillon dhe numëron deri në dhejtë, me ç’rast babai i jep shitësit parat dhe e blenë embëlsirën. Tani, shkaku që fëmija fitoi ëmbëlsirën ishte se ai diti të numërojë, pra dha kontributin e vet. Kurse ai që ia mundësoi të hajë embëlsirën ishte babai, sepse ai i kishte paratë.
Xhemat i respektuar, edhe puna dhe angazhimi ynë është si shkaku i numërimit te fëmija, kurse ai që na jep nafakën është Allahu. Pra, për të fituar nafakën duhet pasur parasysh këto dy fakte: puno, angazhohu, por edhe beso dhe mbështetu në Zotin, sepse ti je shkaku, kurse ai që jep është Allahu.
(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 22.03.2013)
(El-Hidaje)