Si të kuptohet drejtë çështja e nafakës? (Pj. I)

Hytbe

Mehas Alija

Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.

***

وَفِي السَّمَاءِ رِ‌زْقُكُمْ وَمَا تُوعَدُونَ ﴿٢٢﴾ فَوَرَ‌بِّ السَّمَاءِ وَالْأَرْ‌ضِ إِنَّهُ لَحَقٌّ مِّثْلَ مَا أَنَّكُمْ تَنطِقُونَ ﴿ ٢٣

وَمَا مِن دَابَّةٍ فِي الْأَرْ‌ضِ إِلَّا عَلَى اللَّـهِ رِ‌زْقُهَا –

“E në qiell është furnizimi juaj dhe ajo që ju premtohet. Pasha Zotin e qiellit e të tokës, kjo është një e vërtetë, ashtu siç është e vërtetë se ju flisni.” (Edh-Dharijat, 22-23).

“Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që All-llahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj…” (Hud, 6).

Të dashur xhemat, vëllezër e motra, sot do të flasim diçka në lidhje me nafakën, apo furnizimin. Ç’është në fakt nafaka dhe si duhet të kuptohet drejt ajo? A duhet të jetë shqetësim nafaka dhe si duhet të punojmë për të? Si të arrihet deri te nafaka?

Nafaka, risku apo furnizimi sot janë bërë shqetësim dhe mundim, thuajse, për të gjithë njerëzit. Këtë shqetësim sot nuk e bartin vetëm fukarenjtë, por edhe të pasurit. Shohim se si sot, për nafakën nuk shqetësohen vetëm të rriturit, por edhe fëmijët dhe pleqtë.

Atëherë cili është faktori i përbashkët për këtë shqetësim të madh në lidhje me sigurimin e ekzistencës, respektivisht nafakës?

Nëse do të shikonim me hollësi, do të vërenim se shkaku kryesor i këtij mundimi dhe shqetësimi është i lidhur ngushtë me shpirtin e zemrën dhe me vetë moskuptimin e nafakës. Kur shpirti e forcon besimin në premtimin e Allahut, dhe zemra është e bindur se nafakën e jep vetëm Krijuesi, atëherë shpirti dhe zemra e njeriut është e qetë dhe pa brenga.

Ndërsa, kur njeriut i dobësohet bindja në premtimin e Allahut, ndërkohë që më tepër kapet për shkaqet, duke menduar se po s’u angazhove, asgjë nuk fitove, atëherë në shpirt paraqitet dyshimi dhe frika nga fukarallëku. Frika nga fukarallëku është legjitime, por jo frika nga e pangrëna dhe e pa pira, por nga vetë frika prej varfërisë.

Muhammedi a.s, e luste Allahun që ta mbrojë prej varfërisë, ndërkohë që shumë shpesh i ndodhte që për dy ditë me radh të mos kishte bukë.

Si të kuptohet kjo, xhemat i ndershëm? Dijetarët thonë: Muhammedi a.s., asnjëherë nuk është lutur që Allahu ta mbrojë prej vetë skamjes, varfërisë, porse e luste që ta ruaj nga vetë frika e varfërisë. Po si kështu? Ja shikoni si: të jesh i varfër dhe t’i frikësohesh varfërisë nuk është njëjtë. Ka shumë të varfër që janë të kënaqur me aq sa kanë dhe nuk bëjnë dredhi e mashtrime.

E, nga ana tjetër, ka shumë të pasur që, nga frika se do të varfërohen, bëjnë çfarëdo të zezash, vetëm e vetëm të mos bien më poshtë nga ajo gjendje që kanë. Pra, këtu duhet të shfaqet frika, që Zoti i Madh të na ruaj nga frika prej varfërisë dhe të punojmë drejtë, të bindur në premtimin e Allahut.

Do t’ju lexojë edhe njëherë ajetin e Allahut për të parë se sa i vërtetë është premtimi i Tij: “E në qiell është furnizimi juaj dhe ajo që ju premtohet. Pasha Zotin e qiellit e të tokës, kjo është një e vërtetë, ashtu siç është e vërtetë se ju flisni.” (Edh-Dharijat, 22-23).

Zoti thotë se nafaka është aq e vërtetë dhe e sigurt, sa është e vërtetë dhe e sigurt e folmja jonë. A mund ndokush ta mohojë se ne flasim? Jo, assesi. Atëherë, se çfarë duhet të bëjë njeriu dhe si duhet të punojë për të fituar nafakën, vëllezër e motra të nderuara, do të vazhdojmë të flasim në xhumanë e ardhshme.

(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 15.03.2013)

(El-Hidaje)