Vetmia e vogëlushit

femija-i-vetmuar

Ai ishte fëmija i vetëm i asaj familjeje. Sapo u bë një vjeç nisi të flasë dhe fjala e parë që tha, ishte për njeriun që donte më shumë në jetë: “Mami! ”.

Bebja e vogël nuk e kuptonte ende se ishte një pjesë e saj, por e dinte shumë mirë që e donte si shpirtin dhe që nuk bënte dot pa të. Sidomos pasi pinte qumësht dhe e zinte gjumi në krahët e saj, aman o Allah ç’kënaqësi provonte. Më pas, përsëri kur të zgjohej,  donte ta shikonte te koka.

Lumturia e bebes nuk vazhdoi shumë. E ëma, me pretekstin e shpenzimeve për foshnjën, filloi të punonte në një bankë ku ishte “shef” i ati. Aty ishte bërë një grua e zonja që ua kalonte edhe burrave. Tashmë vogëlushi, sapo hapte sytë në mëngjes, në vend të puthjeve me erë të trëndafiltë të s’ëmës, përballohej me biberonin me erë plastike dhe me një grua të zezë e të thatë që thoshte se ishte “dadoja”. Në këtë situatë e vetmja gjë që mund të bënte, ishte të qante e të bërtiste sa i zinte fyti. Por kur ajo grua, e cila në sytë e tij dukej më tepër si një shtrigë sesa një dado, e pickonte me mjeshtëri me ato gishtërinjtë e saj si kocka, pendohej që kishte ardhur në këtë botë.

Bebja, si pasojë e punës njëmujore të dados, ndryshe nga fëmijët e tjerë, u mësua të mos qante dhe të shihte televizion deri në orën kur vinte e ëma.

Ngaqë babai i vogëlushit e quante rritjen e popullsisë “një rrezik i madh për të ardhmen e vendit”, që kur kishte lindur sillej ftohtë ndaj bebes dhe nuk i rrinte afër asaj, veçse i thoshte ndonjë fjalë nga larg. Prandaj vogëlushi priste me padurim kthimin e nënës për t’u hedhur pa vonesë në krahët e saj, afër mbrëmjes luante pranë derës. Porse tashmë e ëma vinte erë tym cigareje dhe sapo kthehej në shtëpi, i futej punës. E ushqente me ngut atë, e nxirrte nga dhoma e tyre dhe e shtrinte në shtratin në dhomën përbri. Në këtë situatë bebja mundohej të mos qante dhe e zinte gjumi duke belbëzuar ninullat që dikur ia këndonte e ëma.

Kur mbushi dy vjeç, mamaja i bëri dhuratë një zog të vogël. Tashmë vogëlushi në vend të dados me turinj të varur, bisedonte me zogun:

-Mami iku në bankë. -thoshte ai duke u ankuar.

Nëna dhe babai i tij, në vend të një vëllai apo motre që ai aq shumë e dëshironte, i kishin blerë një zog. Kështu ata e shpëtuan beben nga vetmia dhe, për të paguar këstet e makinës, punonin edhe në ditët e pushimit.

Zogu, mbase me dëshirën për t’u takuar me të dashurit prej të cilëve ishte ndarë, një ditë fluturoi dhe iku. Bebja, e cila humbi edhe shokun e tij të fundit, zgjati duart në ajër dhe sytë iu njomën. Tek shihte zogun të fluturonte përjashta, qante duke thënë:

-Edhe zogu iku në bankë! Edhe zogu iku në bankë!