Mashtrimet, si shkak i pafeshmërisë

Hytbe

Mehas Alija

Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.

***

يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنَّ وَعْدَ اللَّـهِ حَقٌّ ۖ فَلَا تَغُرَّ‌نَّكُمُ الْحَيَاةُ الدُّنْيَا ۖ وَلَا يَغُرَّ‌نَّكُم بِاللَّـهِ الْغَرُ‌ورُ‌

“O ju njerëz, s’ka dyshim se premtimi i All-llahut është i vërtetë, pra të mos u mashtrojë juve jeta e kësaj bote dhe të mos u mashtrojë juve ndaj All-llahut ai i mashtruari (shejtani).“ (El-Fatir, 5)

Të nderuar vëllezër e motra,

Mashtrimi është një fenomen mjaft i rrezikshëm në shoqëri. Ai tani te shumë njerëz është bërë element i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërnjerëzore.

Ne sot jemi dëshmitarë të mashtrimeve të ndryshme në botë. Mashtrohemi se kush e sundon botën; mashtrohemi në luftë e në paqe; mashtrohemi në drejtësi; mashtrohemi në familje; mashtroheni në fe; e së fundmi, mashtrohemi edhe në atë që hamë dhe pimë. Ajo që tronditi botën këto ditë tregon qartë se te njerëzimi, sinqeriteti, çiltërsia, besimi, drejtësia, etj., janë vlera të humbura dhe se ato janë zëvendësuar me dredhi, mashtrim, manipolim, keqpërdorim, e çfarë tjetër më keq. Skandalet që përshkaun botën me mishin e kalit, tregojnë shumë bukur për nivelin e papërgjegjshmërisë tek njerëzit, duke filluar që nga punëtoret e thjeshtë, e deri tek drejtuesit e lartë të industrive ushqimore.

Vëllezër të dashur, mashtrimi nuk ka kufi te njerëzit e pa fe. Ai që nuk i ka frikë Zotit, ai nuk di se ç’është mashtrimi. Nëse do të ishim pajtuar se njerëzimi sot vuan prej shumë halleve, atëherë, pa dyshim, se njëri nga shkaqet e kësaj gjendje është edhe jo korrektësia në marrëdhëniet ndërnjerëzore.

Feja jonë e bukur këtë lloj të vesit e ka cilësuar si fatalë, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Ja, shikoni pra, se si pejgamberi ynë i dashur, Muhammedi a.s., me pak fjalë e ka treguar fytyrën e vërtetë të mashtrimit. Ai thotë:  “Amaneti sjell rizk, e mashtrimi sjell mjerim dhe varfëri”. Kurse në një hadith tjetër, pejgamberi a.s., thotë: “Nuk është prej neve ai që na tradhton (mashtron)”.

Xhemat i respektuar, bota sot ka nevojë për drejtësinë e Islamit dhe mësimin e Muhammedit a.s. Sot kemi nevojë për një sistem që pengon të ndodhin belatë dhe fatkeqësitë. Sot, kemi nevojë, ashtu si shprehet edhe Allahu në ajetin që citova në fillim, që dikush të na përkujtojë Allahun dhe të na ruaj nga mashtrimi i kësaj jete dhe nga mashtrimi i djallit të mallkuar.

Për fund, të dashur vëllezër e motra, dëshiroj t’ju porosisë: Kujdes nga ajo që na servohet, qoftë kjo produkt ushqimor, apo produkt mendor, fetar e intelektual. Mashtrimet janë gjithandej. Mjafton, për këtë kohë tonën, që ne të mos bëhemi pjesë e tyre. Do ta përfundoj këtë hutbe me një thënie të urtë shqiptare, ku thotë: “Atë që tradhton e mashtron, as varri nuk e donë”.

(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 01.03.2013)