Mehas Alija
Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.
لَقَدْ مَنَّ اللَّـهُ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ إِذْ بَعَثَ فِيهِمْ رَسُولًا مِّنْ أَنفُسِهِمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِهِ وَيُزَكِّيهِمْ وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ وَإِن كَانُوا مِن قَبْلُ لَفِي ضَلَالٍ مُّبِينٍ
“Është e vërtetë se All-llahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe sheriatin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur.” (Ali Imran, 164)
Të dashur xhemat, me që jemi në ditët e fundit të muajit të Mevludit, muaj në të cilin, në vitin 570 lindi pejgamberi ynë i dashur, Muhammedi a.s. dhe duke mos dashur që të më kaloj edhe kjo hutbe e fundit për këtë muaj, pa i kushtuar, të paktën, dy-tre fjalë, Resulullahut, i cili u cilësua edhe si “kur’ani që ec”, “islami i trupëzuar”, “i përmalluari i Ummetit të tij”, do të mundohemi që t’i japim disa porosi me këtë rast. Allahu i Madhërueshëm, në ajetin e lartëcituar, përmend se Muhammedin a.s., e dërgoi si dhuratë për ne. Ajeti në fjalë duket sikur na dedikohet, në formë shumë të freskuar, edhe neve shqiptarëve. Cili, pra, ishte qëllimi i kësaj dhurate të dërguar nga Zoti? Sipas ajetit, qëllimi i ardhjes së Muhammedit a.s, ishte leximi dhe mësimi i Kur’anit, pastrimi dhe bashkimi i njerëzve, si dhe qartësimi i rrugës së drejtë, pasi që njerëzimi ecte rrugëve krejtësisht të gauara. Edhe ne shqiptarët, nuk ishte se ne ecnim drejtë një rrugë të qartë dhe të drejtë. Falë Zotit, dëgjuam zërin e arsyes dhe të pejgamberit dhe ndoqëm atë për të cilën, me hak, u ftuam. Sot jemi populli, midis shumë popujsh të tjerë, që pejgamberin e vet e duan, e respektojnë dhe e nderojnë.
Të dashur vëllezër e motra, si duhet që kjo dashuri ndaj pejgamberit a.s, të reflektojë edhe midis nesh? Kjo do të ndodh vetëm atëherë kur ne do të mendojmë siç mendoi Muhammedi a.s. Shikoni se si ai, në një rast, ka folur për rolin që kishte në raport me pejgamberët para tij. Ai thotë: “Shembulli im dhe i pejgamberëve para meje, është si shembulli i njeriut i cili ka ndërtuar shtëpinë, e ka rregulluar dhe përshtatur bukur, përveç një vendi, ku mungon një tullë. Andaj, njerëzit, të mahnitur me bukurinë e saj, e pyesin: Pse nuk e ke vendosur edhe këtë tullë? E dine, pra, se unë jam ajo tulla dhe vulla e pejgamberëve.” (Buhariu). Nëse pejgamberi ynë i dashur ishte tulla e fundit e shtëpisë së profetëve, atëherë secili prej nesh është një tullë në shtëpinë e Ummetit të tij. Ky Ummet i madh dhe i bukur, nuk u ndërtua jashta se përmes këtyre tullave të çmuara.
Dashurinë që pejgamberi ynë ushqente për vëllezërit e tij, duhet ta mbjellim midis nesh. Shtëpia jonë ka nevojë për dashurinë dhe lidhjen e njëri tjetrit. Çdo një tullë që hiqet, dëmtohet vetë dhe shëmton shtëpinë. Andaj, për sa kohë, që e shohim veten se jemi pikërisht ajo tulla që do ta zbukuronte shtëpinë e madhe të Ummetit, duhet të mos vonohemi dhe të pozicionohemi aty ku duhet dhe ku kërkohet. Arsyet janë të qarta, më mirë një shtëpi, të madhe dhe të bukur, se sa dy e më shumë shtëpi, të vogla, të shëmtuara, me mungesë tullash.
Muhammedi a.s. tha se është tulla e fundit e shtëpisë së profetëve, dhe u pozicionua te vendi i duhur, me çrast e hijeshoi edhe më tepër atë.
(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 08.02.2013)