Islami e çmon lartë dashurinë e vërtetë

Hytbe

Mehas Alija

Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.

وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِّتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُم مَّوَدَّةً وَرَ‌حْمَةً ۚ إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَآيَاتٍ لِّقَوْمٍ يَتَفَكَّرُ‌ونَ

“Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.” (Er-Rum, 21)

Të dashur vëllezër e motra,

Dje bota shënoi një ditë të veçantë kushtuar dashurisë, grave dhe të drejtave të tyre. E kjo ditë quhet edhe si dita e Shën Valentinit. Pa dashur që të futem në atë se sa është e realtë kjo dhe se sa qëllime të tjera, jashta dashurisë, përfshihen në këtë qëllim, do të mundohem me këtë rast, t’i them vetëm disa porosi të shkurtëra islame.

I dashur xhemat, Feja jonë islame, me edukatën dhe mësimin e saj, përfshinë çdo gjë të jetës sonë, madje edhe dashurinë dhe raportet brenda bashkëshortore e familjare. Islami raportet bashkëshortore dhe familjare i ngrit mbi bazën e dashurisë dhe mëshirës. Pa dashuri dhe mëshirë, institucioni bashkëshortor do të jetë i brishtë, jostabil dhe i destinuar për t’u rrënuar. Aty ku ka dashuri, ka buzëqeshje. Aty ku rrjedh dashuria, aty rrjedh harmonia e lumturia. Aty ku lulëzon dashuria, aty lulëzon shpresa, uniteti, forca, zhvillimi e qëndrueshmëria.

Dashuria ishte e para, edhe atëherë kur s’kishte njerëz të tjerër, pos Ademit dhe Havasë. Me dashuri jetuan në Xhennet, dhe po me dashurinë, jetuan dhe e populluan tokën tonë të bukur.

Pejgamberi ynë i dashur, njeherë tek sa ishte i shtrirë në shtëpinë e tij, dëgjon trokitjen e derës. Mënyra se si trokiste dhe zëri pas derës i kujtuan atë të Hatixhes. Befas çohet në këmbë dhe thotë: “O Zot, më duket si zëri i Hatixhesë. O Zot, bëje që të jetë motra e saj.” Kur hapi derën, pa që ishte motra e Hatixhes dhe e mirëpriti me gëzim. Të mos harrojmë, Hatixheja kishte vite që kishte vdekur, e Muhammedi a.s., akoma e ruante dashurinë e freskët për të.

Kjo është dashuria e vërtetë, jetëgjate. Nuk mjafton që dashurisë t’i kushtojmë vetëm një ditë, një lule, apo një diç tjetër si shenjë dashurie ndaj kësaj dite. Madje, aspak nuk është e ndershme nese vetëm ca ditë duhemi, e njëqind ditë tjera tradhëtohemi.

Shikoni se ç’na tregon Pejgamberi a.s. “Gjatë natës së Miraxhit, mu paraqitën disa njerëz të cilëve u ofrohej për të ngrënë mish i gatuar mirë. Por ata e injoronin atë dhe shkonin e hanin mish të qelbur. I shokuar e pyeta Xhibrilin a.s. Kush janë këta o Xhibril? Ai më tha: Këta janë ata burra që ua kthejnë shpinën grave të tyre hallall, dhe rendin pas grave haram.”

Të dashurit e mi, vëllezër e motra, për fund po ju porosisë: Mos mendoni se dashuria është në qiej, e s’ka kush ta zbres atë. Mos mendoni se dashuria është në thellësitë e tokës, e s’ka kush ta nxjerr atë. Por, dijeni se dashuria është në zemrat tona. Mjafton vetëm t’i gjallërojmë ato. Dy bashkëshortë që e përkujtojnë Allahun bashkë, nuk mund të zihen dhe të bërtasin për shkakun e gjellës apo të një gjëje tjetër të vogël. Dy vetë që falin namaz nate bashkë, nuk mund të grinden të nesërmen në mëngjes.

E lusim Zotin që t’i mbush shtëpitë tona me dashuri, respekt dhe harmoni, siç ishin të mbushura shtëpitë e Pejgamberit a.s. dhe të muslimanëve tanë të parë.

(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 15.02.2013)