Historiku i Bashkësisë islame El–Hidaje në St. Gallen
Bashkësia islame El-Hidaje, është njëra nga bashkësitë më të mëdha fetare në qytetin e St. Galles, brenda së cilës komunikimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe atë gjermane.
“El-Hidaje” është fjalë arabe, e cila në gjuhën shqipe ka kuptimin e udhëzimit në rrugën e drejtë. Gjithashtu, këtë fjalë e bartë si titull edhe libri i famshëm i shkollës sonë juridike hanefite, i imamit të madh Imam Merginanit.
Bashkësia islame u themelua në vitin 1992, në Geltenwilenstrasse 21, 9000 St. Gallen, bashkësi e cila fillimisht përbëhej nga shqiptarët muslimanë dhe vëllezërit boshnjakë. Mirëpo, për shkak të dallimeve gjuhësore, lindi nevoja për një pavarësim të të dy grupeve, ashtu që të ishte më lehtë interpretimi i Islamit në komunitetet përkatëse.
Bashkësia islame shqiptare vazhdoi për dhjetë vite me radhë të jep kontributin e saj fetarë e kombëtarë në po të njëjtën qendër islame të sipërmendur.
Në vitin 2002, B. I. u transferua dhe mori, fillimisht, me qira ndërtesën e shitores “Landi”, në Herisauer Strasse 52 9015 në Winkel të St. Gallenit, ku pas dy vitesh, falë kontributit dhe angazhimit të palodhshëm të anëtarëve dhe të Këshillit të xhamisë, objekti në fjalë u ble dhe kaloi në pronësi të B. I. El-Hidaje, për të vazhduar në ndërkohë edhe rinovimi i komplet objektit.
Aktualisht, B.I. El-Hidaje, numëron mbi 400 anëtarë, të cilët vijnë nga vise të ndryshme shqiptare si nga Maqedonia, Kosova, Lugina e Preshevës dhe Zvicra. Pjesëmarrja më e madhe e xhematlinjve vërehet gjatë të premteve (xhumave), të dielave, si dhe gjatë ditëve festive.
B.I. El-Hidaje organizohet dhe financohet me vetë kontributin e anëtarëve të saj. Xhamia ka të punësuar imamin e saj të rregullt, kurse mirëmbahet nga vetë anëtarët vullnetarë të saj.
Xhamia El-Hidaje organizon aktivitetet vijuese:
– Falja e pesë kohëve të namazit në formë të rregullt, sipas kohës së caktuar në takvim.
– Ligjërata të rregullta nga imami të xhumave, të dielave dhe gjatë kohës së muajit të Ramazanit. Xhamia El-Hidaje, gjithashtu, përkushtohet shumë seriozisht për organizimin dhe zhvillimin e jetës fetare të grave, ku posedon faltoren me hyrje të veçantë për të gjitha ritualet fetare të kësaj gjinie. Në xhami organizohen tribuna fetare, mevlude, hatme, promovime librash, simpoziume, ekspozita, vizita të ndryshme nga shkolla dhe univerzitete të kantonit, etj.
– Organizimi i tribunës dhe iftarit të përbashkët gjatë muajit të Ramazanit me xhematlinjë, fqinjë dhe personalitete të njohura të institucioneve të ndryshme kantonale.
– Këndimi i sures së Jasinit në natën e xhuma, para faljes së namazit të jacisë.
– Mësimi fetar në Mektebin e xhamisë sonë zhvillohet tre ditë në javë: të mërkurën, të shtunën si dhe të dielën. (Orari i mësimit ndryshon, varësisht nga koha.) Mësimi fetar zhvillohet në tri nivele: Niveli i parë: Njohuri të përgjithshme rreth fesë, mësimi i duave të namazit si dhe mësimi i faljes së namazit në mënyrë praktike. Niveli i dytë: Mësimi i alfabetit arab, dhe Neveli i tretë: Leximi i Kur’anit në gjuhën arabe (hatme). Mësimi fetar ndiqet edhe nga të riturit dhe të moshuarit dhe kjo vlen për të dy gjinitë.
– Organizimi i faljes së namazit të Bajrameve në formë të veçantë, ku tanimë është bërë edhe traditë që ato të kryhen në Tenishalle Ulman në Abtwil.
– Udhëzimi, organizimi, përgatitja dhe përcjellja e haxhilerëve për kryerjen e Haxhit. Kjo bëhet, po ashtu, në bashkëpunim edhe me organizatorët dhe agjencitë përkatëse.
– El-Hidaja vazhdon t’i ruaj kontaktet e mira edhe me shoqatat dhe bashkësitë e tjera fetare që ushtrojnë veprimtarinë në vend dhe më gjerë.
– Xhamia posedon edhe ueb-faqen e saj zyrtare, www.el-hidaje.ch, përmes së cilës synon të jetë në hap me kohën dhe të mund t’i informojë anëtarët dhe lexuesit e rregullt të saj për çdo zhvillim që ndodh brenda dhe jashtë xhamisë e që ka lidhje me të, si aktivitet e imamit, të kryesisë, të rinjve, dhe të anëtarëve në përgjithësi.
– Imami aktual i xhamisë El-Hidaje është Hfz. Mehas Alija.
Adresa aktuale:
Bashkësia Islame El-Hidaje
Herisauerstrasse 52
9015, St. Gallen
Tel. & Fax: +41 (0)71 310 29 89
E-mail: info@el-hidaje.ch
Web: www.el-hidaje.ch
Tel. i imamit: +41 (0)76 346 56 12
E-Maili: mehas.alija@el-hidaje.ch