Zinaja, vrastarja e njerëzimit

HytbeFalënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.

وَلَا تَقْرَ‌بُوا الزِّنَىٰ ۖ إِنَّهُ كَانَ فَاحِشَةً وَسَاءَ سَبِيلًا

“Dhe mos iu afroni amoralitetit (zinasë), sepse vërtetë kjo është një vepër e shëmtuar dhe rrugë shumë e keqe.” (El-Isra, 32).

Jetojmë në një kohë të cilën qysh herët e ka parashikuar Pejgamberi ynë i dashur, në hadithin e tij duke i paralajmëruar shokët me fjalët: “Si do të veproni kur gratë t’i përkushtohen zinasë (prostitucionit), e rinia të zhytet në sharje dhe kumar?” – i pyeti Pejgamberi a.s. shokët e tij. “Vallë, a mund të vijë ajo kohë, o i Dërguari i Allahut?”, e pyetën ata. Muhamedi a.s. tha: “Mundet edhe më keq”. “Vallë, a mundet të jetë edhe më keq?”, e pyetën përsëri. Mundet. “Atëherë kur nuk do ta urdhëroni të mirën, e nuk do ta ndaloni të keqen”- tha Pejgamberi i All-Allahut a.s. “Vallë a mund të vijë ajo kohë?” – e pyetën përsëri as’habët . “Mundet edhe më keq. Atëherë kur të mirën do ta konsideroni të keqe, e të keqen të mirë”. “A mund të vijë ajo kohë, o Pejgamberi i Allahut?” – për së treti herë e pyetën as’habët. “Mundet. Kur do të legalizoni të keqen e të ndaloni të mirën. Atëherë edhe njerëzit tuaj më të ditur nuk do të mund të gjenden (nuk do të dinë çfarë të bëjnë)” – u përgjigj Pejgamberi ynë i dashur s.a.v.s.

Sa të mëdha dhe madhështore janë këto fjalë të Pejgamberit të Allahut! Ato nxitin admirim dhe forcojnë bindjen dhe besimin tonë në vërtetësinë e pejgamberisë të tij. Mirëpo, ato gjithashtu shkaktojnë edhe shqetësim dhe frikë, sepse, si duket, ato po realizohen pikërisht në kohën tonë, në kohën e cila, në një anë karakterizohet nga një përparim i paimagjinueshëm shkencor e teknologjik, e nga ana tjetër nga devijimi dhe shkatërrimi edhe më i paimagjinueshëm i moralit, që kërcënon të rrënojë çdo potencial dhe vlerë shpirtërore te njeriu si krijesa më e përkryer e Allahut të Madhëruar.

Të dashur xhemat, ne para disa ditësh, më saktë me 1 dhjetor e patëm Ditën Ndërkombëtare Kundër Sidës. Në këtë ditë, njerëz në të gjithë botën angazhohen dhe përkujtojnë dëmet dhe fatkeqësitë që sjell ky ves i keq dhe vdekjeprurës. Por, vallë sa kanë sukses në parandalimin e saj? Sot bota numëron mbi 40 milionë njerëz të infektuar nga kjo sëmundje.

Nga 2001-shi, numri i të infektuarve me këtë virus shkatërrues është trefishuar e katërfishuar, ndërsa në ditë vdesin me mijëra e mijëra njerëz. Dhe akoma vazhdon te ketë alarmime të fuqishme për kanosjet që shkakton prostitucioni, i cili në shumë vende është edhe i legalizuar.

Cila është zgjidhja dhe ku qëndron shpëtimi nga kjo vrastare e madhe?

Ne si musliman e kemi një rrugë, e ajo është qëndrimi larg amoralitetit. Sa më largë kësaj pune, aq më të shëndosh do të jemi. Allahu i Madhëruar e ka vulosur përgjithmonë zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ja, shikoni se ç’thotë Ai në suren El-Isra, ajeti 32: “Dhe mos iu afroni amoralitetit (zinasë), sepse vërtetë kjo është një vepër e shëmtuar dhe rrugë shumë e keqe.” (El-Isra, 32).

(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 07.12.2012, nga imami i xhamisë Mehas Alija)