Rëndësia e Muhammedit a.s. për jetën tonë

Muhammedio

 

Mehas Alija

“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun”. (El-Ahzab :21)

I dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Allahun qoftë mbi të, ka domëthënie dhe rëndësi të madhe për secilin prej nesh, qofshim të sapolindur, fëmijë të vegjël, të rritur, të mëdhenj apo edhe të moshuar.

Allahu ka thënë se ai është “rahmetun lil aleminë”, pra mëshirë për të gjitha botët, dhe po ta shikojmë me shumë seriozitet jetën e tij, do të bindemi se fjala e Allahut është e vërtetë.

Njohja e jetës së Muhammedit s.a.s dhe veprimeve të tij që i bëri gjatë jetës së tij, veçanërisht gjatë 23 viteve të pejgamberisë, janë të domosdoshme për arritjen e bashkimit të muslimanëve dhe garantimit të paqes dhe stabilitetit global.

(Për të sapolindurit)

Në kohën e tij, fëmijët e sapolindur mbyteshin dhe varroseshin të gjalla. Kurse sot, ende pa u lindur i mbysin, përmes abortimit, kështu që ua ndërpresin të drejtën e tyre për të jetuar.

Kush e ndaloi që vajzat e sapolindura të mos varroseshin të gjalla? Kush e ndaloi që të mos mbyten fëmijët, madje edhe para se të lindin ato? Kush e ndaloi që të mos mbyten fëmijët nga frika e varfërisë? Është Allahu dhe i Dërguari i Tij që i ndalon të gjithë këto punë të neveritshme.  Shumë njerëz sot, jetët e tyre i gëzojnë falë mëshirë se Allahut dhe të Muhammedit a.s.

(Për fëmijët)

Për fëmijët Muhammedi a.s. është i rëndësishëm se ai e ndaloi që mbi to të ushtrohet dhunë, ndaloi që të shfrytëzohen, apo të keqpërdoren, gjegjësisht të robërohen. I Dërguari i Allahut shpesh thoshte: “Nuk është prej nesh ai i cili nuk ka mëshirë ndaj fëmijëve, e as ai i cili nuk i respekton pleqtë.”

(Për rininë)

Pejgamberi a.s. përbën një rëndësi të veçantë për rininë. Ai i ka premtuar çdo të riu dhe të reje se nëse e kalon rinë e tij apo të saj në rrugën e Allahut, pa u hamendur në vërtetësinë e saj, do të ringjallet në Ditën e Gjykimit nën flladin e Allahut, së bashku me udhëheqësin e drejtë, sikur edhe me atë, zemra e të cilit është fortë e lidhur për xhaminë, në shoqërinë edhe të atyre që janë dashur vetëm për hir të Allahut të Madhërishëm. Këta të rinj do të jenë në mesin edhe të atyre të cilët, kur në vetmi kujtonin Allahun, i rridhnin lotët, në mesin e atij djali dhe atij burri, të cilit i ofrohet një grua autoritative dhe e bukur, dhe ky e refuzon, duke i thënë se unë i frikësohem Allahut të Madh. Dhe, gjithashtu, do të jetë nën hijen e Allahut, me atë i cili kur jep sadaka, aq e fsheh atë, që mos ta shohin të tjerët, sa që dora e majtë nuk e sheh se çfarë jep dora e djathtë.

(Për të riturit)

I Dërguari i Allahut është i rëndësishëm edhe për çdo person të moshë-rritur. Meshkujt i ka mësuar sesi duhet të jenë kur të bëhen vëllezër, prindër, kusherinjë, gjyshër, shokë, miq, etj. Ata të cilët do të ndjekin rrugën e tij, me siguri nuk kanë për të dëvijuar. Kush do ta ndjek atë, ai në jetë ka për të marr vendime të rëndësishme dhe me siguri, kundrejt gjithçkaje, ka për të pasur qëndrime të qëlluara.

Ndiq Muhammedin a.s., do të jesh i shëndetshëm, i mençur, i sjellshëm, i dashur dhe i pranuar në shoqëri. Kur të ndjesish Muhammedin a.s., do të jesh i fuqishëm, i lumtur, dhe mbi të gjitha, i ruajtur në këtë botë dhe në botën tjetër.

Një herë, i Dërguari i Allahut u drejtohet shokëve të tij, duke u thënë: “A dëshironi që t’ju tregojë se për kë do të jetë i ndaluar zjarri”. Shokët pyetën: Për kë ja Resulallah?Kur Allahu t’i tubojë njerëzit, do të thirr një zë: Ku janë meritorët? Do të ngritet një grup njerëzish dhe shpejt do të nisen drejtë Xhennetit. Këta do t’i takojnë melaqet dhe do t’i pyesin: E shikojmë se po nguteni për në Xhennet, po kush jeni ju? – Ne jemi meritorët, përgjigjen xhennetlinjtë. Por, për çka jeni meritorë ju?Ata përgjigjen: – Ne ishim të durueshëm kur mbi ne u bë padrejtësi dhe ishim të butë kur u ofenduam. Atëherë do të t’u thuhet: Hyjni në Xhennet, sa shpërblim i bukur që u është ofruar.”

Ai, ndër të tjerash, gjithashtu na mëson: “Mos tradhtoni njëri tjetrin, mos ia ktheni shpinën  njëri tjetrit, mos e urreni njëri tjetrin, jini vëllezër…”

E Allahu i Madhëruar, për atë se si duhet të jenë pasuesit e Muhammedit a.s, kundrejtë njërit tjetrit, thotë:

مُّحَمَّدٌ رَّ‌سُولُ اللَّـهِ ۚ وَالَّذِينَ مَعَهُ أَشِدَّاءُ عَلَى الْكُفَّارِ‌ رُ‌حَمَاءُ بَيْنَهُمْ

“Muhammedi është i Dërguari i Allahut. E pasuesit e tij janë të ashpër ndaj jobesimtarëve, kurse ndaj besimtarëve janë të butë e të mëshirshëm.” (El-Feth, 29).

(Për gratë)

Muhammedi a.s., është i një rëndësie të veçantë edhe për gratë. Ai i lartësoi dhe i çmoi ato, në radhë të parë si qenie njerëzore, pastaj i nderoi ato si nëna dhe si motra. Është i pari i cili e ngriti çështjen e gruas dhe e mbrojti të drejtën e saj për jetesë. Muhammedi a.s., është ai i cili kërkoi që gruas t’i çmohet nderi dhe autoriteti që ka në shoqëri.

Ai i këshilloi gratë se si duhet të jenë dhe si duhet të sillen kur të jenë vajza, bashkëshorte, nëna e motra. Çdo grua e cila do ta pasojë udhëzimin e Muhammedit a.s., do të jetojë një jetë të dinjitetshme dhe të ndershme. Jetën e saj martesore do ta drejtojë lumturia, do të jetë e mbushur me dashuri dhe kënaqësi.

(Të moshuarit)

I Dashuri ynë, Muhammedi a.s., diti t’i vlerësojë dhe t’i çmojë shumë lartë gjyshet dhe gjyshërit, nënat dhe baballarët, duke u dhënë të drejtën e respektit dhe nderimit. Ai shumë shpesh thoshte: “Nuk është prej nesh ai i cili nuk i respekton pleqtë.”

Pra, nuk është si Muhammedi a.s., në besim (iman), në jetën e tij përkushtuar Allahut, respektivisht në jetën e tij me përvojë të pasur, të cilën nuk do të duhej aspak ta shpërfillnim.

Në një rast, gjersa Muhammedit a.s., përgatitej për një betejë, i vije një burë dhe i kërkoi leje që të merr pjesë edhe ai në luftë. Kur i Dërguari a.s., e pyeti: “A ke ndonjë prej prindërve gjallë? Po, i tha i djaloshi, të dy janë gjallë. Atëherë kthehu tek prindërit e tu, dhe bëju atyre mire.”

Gjithashtu, transmetohet se një ditë, teksa përgatiteshin muslimanët të bënin hixhret, i erdhi një djalë i ri Pejgamberit a.s., dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, dua të bëjë edhe unë hixhret, ndonëse prindërit i kam lënë duke qarë për mua. Në çka Muhammedi a.s. ia ktheu: “Kthehu tek prindërit e tu dhe qeshu atyre, ashtu siç i bëre të qajnë”.

Pejgamberi i Zotit nuk do që dikush të qajë, të mërzitet apo të jetë fatkeq. Përkundrazi, ai do që në secilën zemër njerëzore të mbjellë gëzim, dashuri dhe prehje, prandaj dhe e kthen të riun që të kujdeset për prindërit, pasi që e di fortë mirë se sa dhëmbin lotët e prindërve për fëmijët e tyre.

***

Ofendimi i Muhammedit a.s. (pjesa e hutbes)

إِنَّا أَعْطَيْنَاكَ الْكَوْثَرَ‌ ﴿١﴾ فَصَلِّ لِرَ‌بِّكَ وَانْحَرْ‌ ﴿٢﴾ إِنَّ شَانِئَكَ هُوَ الْأَبْتَرُ‌ ﴿٣

“Ne, vërtet, të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!E s’ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur.” (Keuther, 1-3).

I Dërguari i Allahut, në jetët e secilit prej nesh, ka rëndësi dhe domethënie të madhe, prandaj dhe e duam, e mbrojmë dhe revoltohemi kur dikush atë e njollos dhe e ofendon. Muhammedi a.s., është personi numër një që e duam më së shumti në këtë botë. Prandaj dhe lexojmë dhe dëgjojmë për të, në mënyrë që ta njohim sa më mirë që është e mundur. E kur ta njohim atë, ashtu siç e meriton, atëherë besoni se nuk do të na rinte zemra e qetë dhe syri pa u lagur kur të dëgjojmë shpifje dhe ofendime të këtilla që i bëhen atij.

Me ofendimin e Muhammedit a.s., ofendohemi të gjithë ne, por jo vetëm ne si muslimanë, por të gjithë ata që posedojnë etikë, moral e vetëdije të shëndosh. Identiteti ynë muslimanë është i lidhur ngushtë për personalitetin e Muhammedit a.s., andaj, kushdo që nxit urrejtje ndaj tij, ka nxitur urrejtjen ndaj nesh. Allahu na mbroftë prej sprovave të rënda, të cilat s’mund t’i përballojmë.

Ne e lusim Allahun që ta ketë mëshiruar Muhammedin a.s, me mëshirën e Tij të madhe, që t’i dhurojë atij vendin më të lartë në xhennet, kurse neve të na mundësojë shoqërimin me të në botën tjetër, inshallah.

(Ligjërata dhe hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 21.09.2012, nga Mehas Alija)