Mehas Alija
Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.
مَنْ عَمِلَ صَالِحًا مِّن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَىٰ وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَلَنُحْيِيَنَّهُ حَيَاةً طَيِّبَةً ۖ وَلَنَجْزِيَنَّهُمْ أَجْرَهُم بِأَحْسَنِ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ
“Cilindo besimtar a besimtare, që bën punë të mira, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas punëve më të mira që ka kryer.” (Nahl, 97)
Xhemat i dashur, Zoti ynë i Madh, Krijuesi ynë, muslimanët i ka cilësuar në Kur’an si njerëz fisnikë, të mendjes dhe të kulturës. E ne, si një Ummet i tërë, një kohë të gjatë ishim të tillë.
Ishim mendjendritur, të njerëzishëm dhe të kulturuar. Sot, pra, cili është shkaku që kemi rënë kaq poshtë? Mos vallë është numri i pakët i muslimanëve?
Mos vallë kemi burime të pakta natyrore e ekonomike?
As njëra e as tjetra, pasi që 1/5 e popullsisë botërore është muslimane. Po ashtu, burimet më të pasura të planetit gjenden në duart e muslimanëve. Atehërë ku qëndron problemi? Pse ndodhemi në këtë gjendje?
Njerëzit e ditur, me kohë, i kanë dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.
Shkaku kryesor i ngecjes qëndron te mungesa e karakterit dhe lënia pas dore e fesë nga ana e muslimanit dhe muslimanes.
Kur muslimanët u dembeluan, lanë punën dhe fenë, atëherë gjetën belanë e hatanë.
Ne ishim të mirë dhe përparimtarë, sepse ditëm të mendojmë dhe të veprojmë mirë.
Muslimani i dikurshëm preokupim kishte vetëm punën dhe aktivitetin, kurse bezdia për të ishte diç e panjohur. Ashtu sikur që trëndafili ka aromën e vet, ashtu njëjtë, edhe muslimani kishte veprën e vet të mirë.
Kur hz. Aliu u bë kalif, në hytben e tij të parë, pasi hipi në mimber, tha vetëm këto fjalë: “O njerëz, ju keni nevojë për njerëz të veprave, dhe jo të fjalëve”, dhe zbriti nga mimberi.
O vellezër të dashur, në këtë fillim të vitit të ri, faljuni njerëzve dashamirësi, ashtu siç do të donit t’u falnit pasuri. Ndonjëherë, një buzëqeshje e ngrohtë mund ta gëzojë një hallexhi më shumë se pasuria. Muhammedi a.s. në njërën prej thënieve të tij, thotë: “Ju nuk do t’i ngopni dot njerëzit me pasuri. Andaj, kënaqni me mirësjellje dhe fytyrë të qeshur.”
Për në fund lash vargjet e bukura të poetit tonë të madh, Naim bej Frashërit, që inshallah, të na motivojnë për punë të më mëtutjeshme të mbara.
Falna, Zot i madh, ne njerëzinë,
edhe të mirat’ e dashurinë,
vellazërinë, zemrën’ e qruar,
mendjenë pa faj, shpirt të uruar;
bëna të drejtë në këtë jetë,
t’urt’ e të mirë dhe të vërtetë. (N.F.)
(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 04.01.2013)