Kujdesi ndaj të moshuarve, parim thelbësor në Islam

HytbeIslami nuk do që dikush të qajë, të mërzitet apo të jetë fatkeq. Përkundrazi, ai do që në secilën zemër njerëzore të mbjellë gëzim, dashuri dhe prehje, prandaj dhe e kthen të riun që të kujdeset për prindërit, pasi që e di fortë mirë se sa dhëmbin lotët e prindërve për fëmijët e tyre.

***

Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.

وَقَضَىٰ رَ‌بُّكَ أَلَّا تَعْبُدُوا إِلَّا إِيَّاهُ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا ۚ إِمَّا يَبْلُغَنَّ عِندَكَ الْكِبَرَ‌ أَحَدُهُمَا أَوْ كِلَاهُمَا فَلَا تَقُل لَّهُمَا أُفٍّ وَلَا تَنْهَرْ‌هُمَا وَقُل لَّهُمَا قَوْلًا كَرِ‌يمًا ﴿٢٣﴾ وَاخْفِضْ لَهُمَا جَنَاحَ الذُّلِّ مِنَ الرَّ‌حْمَةِ وَقُل رَّ‌بِّ ارْ‌حَمْهُمَا كَمَا رَ‌بَّيَانِي صَغِيرً‌ا

“Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese). Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroi ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël”. (Isra, 23-24).

Të dashur xhemat, para disa ditësh e patëm ditën ndërkombëtare të të moshuarve. 1 Tetori shënohet si ditë që iu kushtohet të drejtave dhe çështjeve të pleqve. Në shumë vende të botës, politikanët mbajnë fjalime, radiot, televizionet apo gazetat botojnë intervista me të moshuar për çështje të tilla si, arritjet që kanë bërë për të krijuar një shoqëri më të mirë, problemet me të cilat përballen, madje duke i paraqitur edhe shqetësimet e tyre për fenomene të ndryshme me të cilat ballafaqohen. Edhe krahas tërë kësaj, një ditë kushtuar kësaj shtrese të ndjeshme të shoqërisë është shumë pak, sidomos kur kemi parasysh qarkun e shqetësimeve të tyre. Islami, këtë pjesë të shoqërisë e konsideroi si grup i dobët që kërkon krahun e ndihmesës së pjesës tjetër të shoqërisë, siç janë më të rinjtë. Ajetet që i citova më lartë, qartë flasin për kujdesin që duhet t’u kushtojmë prindërve, sidomos kur ata arrijnë pleqërinë. Allahu i Madhëruar dhe i Dërguari i Tij, s.a.v.s., respektin ndaj prindërve, ndaj të moshuarve, e ndërlidhi menjëherë pas besimit dhe bindjes ndaj Tij.

Kjo shtresë sot nuk ka nevojë për Altesheime (shtëpi pleqësh), mbase deri diku, për shoqëri dhe rrethana të caktuara, janë të mirëseardhura për to, por ne mendojmë se këta kanë nevojë për diçka me tepër. Këtyre duhet t’ua shtrojmë kujdesin e drejtpërdrejtë, dashurinë e sinqertë, krahun e ndihmës dhe të respektit. Shtëpitë e tyre duhet të jenë vatrat tona, ose me drejtë, shtëpitë e tyre duhet të jenë zemrat tona. Ata duhet të gjejnë rehatinë dhe ngrohtësinë tonë. Ata kanë nevojë për buzëqeshjet dhe përkëdheljet tona. Ata nuk duhet të qajnë nga dëmet që u shkaktojmë ne, porse duhet t’i bëjmë që t’u buzëqesh fati e lumturia.

I Dashuri ynë, Muhammedi a.s., diti t’i vlerësojë dhe t’i çmojë shumë lartë gjyshet dhe gjyshërit, nënat dhe baballarët, duke u dhënë të drejtën e respektit dhe nderimit. Ai shumë shpesh thoshte: “Nuk është prej nesh ai i cili nuk i respekton pleqtë.”

Një ditë, teksa përgatiteshin muslimanët të bënin hixhret, i erdhi një djalë i ri Pejgamberit a.s., dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, dua të bëjë edhe unë hixhret, ndonëse prindërit i kam lënë duke qarë për mua. Në çka Muhammedi a.s. ia ktheu: “Kthehu tek prindërit e tu dhe qeshu atyre, ashtu siç i bëre të qajnë”.

Islami nuk do që dikush të qajë, të mërzitet apo të jetë fatkeq. Përkundrazi, ai do që në secilën zemër njerëzore të mbjellë gëzim, dashuri dhe prehje, prandaj dhe e kthen të riun që të kujdeset për prindërit, pasi që e di fortë mirë se sa dhëmbin lotët e prindërve për fëmijët e tyre.

(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më  05.10.2012, nga imami i xhamisë Mehas Alija)