Mehas Alija
Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.
***
وَاللَّـهُ الْغَنِيُّ وَأَنتُمُ الْفُقَرَاءُ ۚ وَإِن تَتَوَلَّوْا يَسْتَبْدِلْ قَوْمًا غَيْرَكُمْ ثُمَّ لَا يَكُونُوا أَمْثَالَكُم
“… E, nëse ju ia ktheni shpinën dhe i largoheni Atij, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, i cili nuk do ta ndjekë shembullin tuaj.”[Muhammed, 38]
I dashur xhemat, ne vazhdojmë akoma të jemi nën hijen e mbresave që lanë këto ditë festive në vendëlindjet tona të dashura. Hareja dhe gëzimi nuk munguan as këtu. Unë sot vendosa që të prek një realitet tjetër, por që dëshiroj ta lidh me fatin tonë të mëtutjeshëm. E ky realitet ka të bëjë me raportin ndaj Kur’anit fisnik.
Ky është libër për njeriun dhe i zbritur enkas për rregullimin e sistemit të tij të jetës. Trajtimi i Kur’anit, ose raporti ynë me të, nuk duhet të jetë i kufizuar vetëm në fushën e kodeksit të tij moralo-etiko-fetar, porse duhet të jetë i gjithëpërfshirshëm, i gjithanshëm dhe koherent, si p.sh., në aspekt të organizimit politik, ekonomik, social, kulturor, etj.
Kthimi tek Kur’ani duhet të nënkuptoj, së pari, kthimin kah Allahu i Lartëmadhërishëm, kthim në njohjen e Tij, kthim i cili do të ndryshoj bindjet e gabuara ndaj Zotit dhe Atributeve të Tij. Pas kësaj, duhet të ndodh solidarizimi i plotë me normat dhe mësimet kur’anore, në mënyrë që ta shpëtojmë vetveten, familjen dhe shoqërinë mbarë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ndodh e kundërta – shkatërrimi apo zëvendësimi!
Allahu i Lartësuar thotë: “… E, nëse ju ia ktheni shpinën dhe i largoheni Atij, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, i cili nuk do ta ndjekë shembullin tuaj.”[Muhammed, 38]
Ky kthim nuk duhet të jetë formal, i pashpirt, i pavullnetshëm, porse duhet të jetë i vetëdijshëm, me plotë gjallëri, pa mëdyshje, për të shfaqur bindjen se ky libër është ligj, kushtetutë, sistem jete, rrugë për të fituar fuqinë, epitetin e ngadhënjimtarit, burim i ideve dhe vizioneve më të bukura, pse të mos jetë edhe forca e bashkimit tonë.
Gjithashtu, kthimi tek Kur’ani nuk nënkupton mbylljen dhe kufizimin vetëm në të, porse si burim nga i cili mësojmë edhe t’i velim dhe t’i vlerësojmë vlerat dhe të arriturat e të tjerëve.
Pra, fati dhe perspektiva jonë, si popull musliman në Evropë, do të varet nga ajo sesi do të jetë përkushtimi ynë ndaj Librit të Allahut, Kur’anit të madhërishëm.
Uroj që sot, në këtë 100 vjetor tonin, kombi ynë ta ketë kuptuar aspiratën e vertetë të të parëvë tanë dhe se e ardhmja duhet t’i shërbej pikërisht këtij përkushtimi. Ruajtja e amanetit ndaj Allahut dhe lëvizja për t’u afruar sa më pranë njëri tjetrit, do të na bëjë një shoqëri të dobishme, jo vetëm brenda nesh, por edhe në rafsh më të gjërë ndërkombëtar.
E lus Allahun e Plotfuqishëm që vitet në vijim të jenë të bardha, për ne si shqiptarë, për muslimanët mbarë, por edhe për tërë njerëzimin. Amin!
(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 30.11.2012)