Imami dhe anëtarë të xhamisë vizituan shkollen shqipe në St. Gallen

vizita-e-shkollesPasditen e së mërkurës, më 21 nëntor 2012, Imami pranë xhamisë së Bashkësisë Islame El-Hidaje, Hfz. Mahas Alija, së bashku me kryetarin, zt. Qemal Rushitin dhe me disa anëtarë të xhamisë, vizituan klasën e gjuhës shqipe të mësueses Afërdita Maliqi në shkollën Schänenewegen të qytetit të St. Gallenit.

Fillimisht, koordinatori për mbarëvajtjen e shkollave të gjuhës shqipe në kantonin e St. Gallenit, Ragip Morina, njoftoi mysafirët me mësuesen dhe me procesin e mësimit, ndërkoh edhe vetë mësuesja, znj. Afërdita Maliqi, bëri një prezantim të shkurtër rreth mbarëvajtjes dhe sfidave të mësimit të gjuhës shqipe në St. Gallen, por përgjithësisht edhe në në Zvicër.

Imami, Mehas Alija, duke e falënderuar koordinatorin dhe mësuesen për mikpritjen, u shpreh se qëllimi i vizitës është njohja dhe bashkëpunimi i ndërsjellë, mes dy institucioneve të rëndësishme për fëmijët shqiptarë, si dhe për t’u njohur më për së afërmi me misionin e të dy këtyre institucioneve.

“Xhamitë dhe shkollat luajnë rol shumë të rëndësishëm në formimin e personalitetit të individit. Duke e dashur fenë dhe gjuhën, ne do ta ruajmë qenien tonë në këtë vend. Nga asimilimi do të mund të mbrohemi vetëm nëse u kushtojmë rëndësi këtyre dy institucioneve”, u shpreh imami Mehas Alija, duke aluduar në institucionin fetar dhe arsimor.

Ai shtoi, gjithashtu, se “nëse dikur feja ishte ajo që na e ruajti gjuhën dhe traditën shqiptare, sot, në këto anë mërgate, do të jetë gjuha ajo e cila do të na e ruaj edhe fenë ”.

Në fund, imami fëmijëve u dhuroi edhe nga një libër në gjuhen shqipe, si shenjë kujtimi dhe dashurie ndaj dijes dhe shkencës.

Takimi përfundoi duke ia uruar njëri tjetrit festën e 28 nëntorit, por edhe Vitin e Ri Hixhri, 1434.