Shkolla dhe edukata e Ramazanit

Mehas-Alija-2

Hfz. Mehas Alija

Falënderimi i takon Zotit të botëve, salavatet dhe selamet i takojnë të Dërguarit të Tij, familjes, shokëve dhe gjithë atyre që e pasojnë për të mirë deri në ditën e gjykimit.

„Çdo gjë që është në të (në tokë) është e kalueshme. E do të mbetet vetëm Zoti yt që është i madhëruar e i nderuar!“ (Er-Rahman, 26-27)

„Kush e agjëron Ramazanin, me iman dhe me shpresë, do t’i falen mëkatet e kaluara.“ (Hadith, Buhariu)

Të nderuar vëllezër!

Sot është festë bajrami dhe sa jemi të gëzuar, po aq edhe jemi mërzitur pasi jemi ndarë prej një mysafiri shumë të madh, siç është Ramazani. I kuptoj vështirësitë që patëm, me punë dhe me orë të tëra duke agjëruar, por përsëri, zemra e besimtarit ka mall për ndarjen dhe largimin nga ky muaj i bekuar.

Ramazani erdhi midis nesh si një shkollë verore, në të cilën mësues patëm Kur’anin fisnik dhe Pejgamberin a.s., kurse agjërimi ishte terapia kryesore për shërimin e shpirtit, për zbutjen e zemrës, për forcimin e imunitetit, për afrimin me njëri-tjetrin, si dhe për lidhjen më të fortë me xhematin.

Ramazani erdhi për të na mësuar si ta mbajmë nën kontroll shpirtin dhe trupin, se si ta ndërtojmë personalitetin tonë islam, duke u udhëhequr me moral dhe ndërgjegje të shëndosh.

Ramazani erdhi për të na mësuar respektin ndaj njeriut dhe ndaj dëshirës së tij për të jetuar i lumtur dhe në paqe.

I shtrenjti xhemat!

Feja jonë na mëson se ekzistojnë, ndër të tjera, tri lloje krijesash: melekët që janë të arsyeshme por që nuk kanë instik, kafshët që kanë instik por që nuk kanë arsye, dhe njerëzit që Zoti i ka krijuar me të dyja, me instik dhe arsye. Nese te njeriu sundojnë instiktet, e jo arsyeja, atëherë kafsha është më e mirë se njeriu, ndërsa kur njeriu udhëhiqet me arsye, atëherë ai është më i mirë se melaqja. Andaj, njeriu jeton midis dy gjendjeve, midis jetës shpirtërore dhe asaj fizike, materiale. Dhe kështu, njeriu manifeston botën e tij reale.

Vëllezër besimtarë!

Ramazani ishte një mundësi, ku së bashku me agjërimin si ibadet, ta shëronim dhe pastronim shpirtin tonë nga urrejtja, zemrën nga lakmia, gjuhën nga fjalët e pahijshme, sytë nga shikimet e ndaluara, dhe duart t’i ruanim nga punët e ndyta.

Kjo kohë ramazani, gjithashtu, na dha mundësinë për ta pastruar vetveten, familjen, bashkësinë tonë dhe shoqërinë në përgjithësi nga veset e liga, të cilat vese e kanë rënduar dhe vështirësuar jetën në tokë.

Tjetër, Ramazani është shkolla ku njeriu mëson ta dojë Zotin e vet dhe njeriun. Kjo është koha kur njeriu mëson se si duhet të jetojë i mëshirshëm me të tjerët, t’i duaj dhe t’iu falë kujdes atyre, sepse kur njeriu e bën të lumtur njeriun, Allahu i dhuron mëshirë dhe e lumturon atë në këtë botë dhe në botën tjetër.

Ja pra, vëllezër të mi, këto janë qëllimet e edukimit dhe të shkollës së Ramazanit. Ai erdhi për të na dhuruar forcën dhe energjinë, që të mund të ecim me lehtësi në shtigjet e metutjeshme të jetës. E falënderoj pafundësisht Allahun xh.sh. që na dha kaq shumë gjëra të bukura dhe të mira në jetën tonë, përmes kësaj feje kaq madhështore, siç është Islami.

Allahu i Lartësuar deshi që ne të shpëtojmë, ti dhe unë, në xhennet të jetojmë, të lumtur përgjithmonë. Kështu Muhammedi a.s. një ditë tha: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit, me iman dhe me shpresë, do t’i falen mëkatet e kaluara.” (Buhari dhe Muslimi)

Allahu i Lartësuar deshi që ne sot të gëzojmë, ti dhe unë, bajramin ta urojmë, zemrat t’i bashkojmë, krah për krahu, rrugën ta vazhdojmë, dunjanë ta përvetësojmë, si dhe lumturinë e amshueshme dhe xhennetin ta kërkojmë… 

Për në fund, dua ta lus Zotin kështu: Allahu ynë, Krijuesi ynë, ibadetet e Ramazanit le të na e forcojnë dëshirën për ta dashur të vërtetën, të drejtën dhe besimin e ndërsjellë. Na bënë prej të tillëve që t’i duam njerëzit dhe t’ua falim në rast se kanë gabuar ndaj nesh, dhe na dhuro forcën, i dashuri Allahu, që ne t’u kërkojmë falje atyre që u kemi hyrë në hak. Allahu ynë, na dhuro aftësinë për ta parë të mirën kur gjendet përpara nesh, e jo vetëm të keqen që gjendet prapa nesh.

Zoti ynë, na ndihmo të gjithëve me ndihmën tënde të madhe. Për hatër të agjërimit tonë, le të zbres ndihma jote për t’u kthyer paqja midis nesh dhe në botë.

Zoti ynë na përfshi të gjithëve me bereqetin e Mëshirës Tënde, me udhëzimin Tënd dhe me faljen e madhe Tënden, të cilën ua ke premtuar atyre që iu gëzohen ibadevete të muajit të bekuar të Ramazanit.

Zoti jonë i kujtojmë me lutje edhe vëllezërit dhe motrat e mbarë botës islame, sidomos ata në Siri, Libi, Somali, Palestinë, Kinë, Burma, Turqi, etj. Allahu u ndihmoftë dhe i çliroftë prej çfarëdo lloj zullumi dhe padrejtësie.

Të dashur vëllezër, të gjithë juve nga zemra ju urojë festën e Fitër Bajramit, duke e lutur Allahun për shëndetin dhe suksesin tuaj në jetë dhe në punë. Gjithashtu, në emër të kryesisë së xhamisë dëshiroj që t’ju përcjell mesazhin e urimit te të gjithë ju të pranishëm dhe te farefisi juaj, kudo qoftë ai: Në Zvicër, Kosovë, Preshevë, Maqedoni, Shqipëri, Bosnjë, Mal të Zi, apo në ndonjë vend tjetër.

Urime edhe njëherë Festa e Fitër Bajramit dhe u gëzofshin të gjithë muslimanët, kudo që janë anë e kënd botës.

 

Liebe Brüder im Islam

Im Namen der Moschee El-Hidaje, wünsche ich euch und euren Familien ein frohes und gesegnetes Fest. Eit Mubarek.

Möge Allah xh.sh. unsere gebete erhören, unser Fasten annehmen, sünden verzeihen, und uns Stärke geben, den Islam zu erleben. Der friede Allahs sei stets mit euch!

(Hutbeja e fitër-bajramit, 25.06.2017)