Mos vallë ke bërë ndonjë mëkat më të madh se ky…


Mehas-Alija-2Hfz. Mehas Alija

Falënderimi i takon Zotit të botëve, salavatet dhe selamet i takojnë të Dërguarit të Tij, familjes, shokëve dhe gjithë atyre që e pasojnë për të mirë deri në ditën e gjykimit.

“Thuaj: „O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!“ (Ez-Zumer, 53)

Të dashur xhemat

Jemi në javen e parë pas festës së Bajramit dhe pas mbarimit të muajit të bekuar të Ramazanit. Nga e gjithë kjo, do të duhej ta kemi kuptuar një gjë, se mëshira e Allahut xh.sh. është e madhe dhe Ai pret prej nesh që t’i kthemi Atij në çdo moment, para se në çdo moment të na vjen exheli i vdekjes. Mendoj se pas Ramazanit duhet të jemi bërë njerëz më të mirë, më të lehtësuar, të kthyer nga punët e mira dhe të pastruar nga të këqijat.

Këtë hutbe dua ta kaloj duke e përmend një ngjarje nga koha e Muhammedit a.s., e që ndërlidhet me një rob të Allahut xh.sh., me një sahabi të vyer, i cili me shehadetin e tij, bëri të qajnë të gjithë të pranishmit, së bashku me pejgamberin a.s. Ky sahabi e kishte emin Ebu Dihje el-Kelb. Ishte udhëheqësi i një vendi dhe përgjegjës për 700 persona. Një herë, kur Muhammedi a.s. e pa, e bërë këtë dua, lutje: “Allahu ynë, dua që këtë njëri ta shoh në sexhde.” Ndërkohë, vjen një ditë Xhibrili a.s. dhe e informon Muhammedin a.s. se personi në fjalë ka pranuar Islamin dhe se besimi ka prekur zemrën e tij. Tek sa Muhammedi a.s. po qëndronte një ditë në xhami, duke biseduar me shokët e tij, sahabët e mëdhenj, hyri në mesin e tyre Ebu Dihje el-Kelbi. Të gjithë të pranishmit u habitën, pasi e njihnin dhe ia dinin historinë, pra, ia dinin të kaluarën dhe “aferat” e më parashme. Por, Muhammedi a.s. e nderoi lartë, duke ia shtruar mantelin e vetë për t’u ulur ai afër tij. Sahabët u habitën edhe më shumë kur dëgjuan atë duke thënë: “O i Dërguari i Allahut, dua që ta pranojë Islamin dhe të kthehem te burimi.” Muhammedi a.s. e fton që ta thotë shehadetin. Pasi që ai e shqiptoi atë, filloi të qajë me dënesje dhe me të madhe. Muhammedi a.s. e pyet nëse qanë nga gëzimi apo ka ndonjë arsye tjetër, kurse ai i thotë se pak qanë nga gëzimi, por më tepër nga mëkati i cili i ishte kujtuar në atë moment. “O Pejgamberi i Zotit, gjynahu që e kam bërë, aq është i madh, sa që frikësohem se nuk do të më falet, madje, nëse ka nevojë, më mbytni për të, ashtu që të mund të më falet nga Zoti.” Pejgamberi a.s. e pyet se për çfarë mëkati bëhet fjalë, ndërsa ai duke qarë i rrëfen kështu: “I Dërguari i Zotit, edhe pse e kam vështirë të flas për të, por pasi që ju insistuat, atëherë ju tregoj. Unë jam kryetar i një fisi të madh, i cili ka 700 anëtarë. Unë vetë me dorën time 70 vajza të gjallë i kam mbuluar me dhé.” Sapo e dëgjoi këtë Muhammedi a.s. shpërtheu në vaj dhe sikur, nga pesha e gjynahut, ktheu paksa shpinën në të djathtë. Njeriu kur pa reagimin e Pejgamberit a.s. mendoi se për këtë vepër nuk falje dhe as mëshirë për të, mirëpo, në ato momente vjen Xhibrili, melaqja e madhe e Allahut xh.sh., duke sjell këtë lajm: “O Muhammed, Allahu të thotë: Thuaji njeriut se e kam falur atë, gjashtëdhjetë vitet e tij, si dhe të gjitha mëkatet, të mëdha e të vogla, pasi ai me pendesë dhe me sinqeritet më pranoi Mua si Zot dhe e shqiptoi shehadetin.” Me ç’rast, të prekur nga kjo, filluan të qajnë të gjithë, e Muhammedi a.s. i ngre lartë duart dhe e bënë këtë dua: “Ja Allah, kur këtë njeri e fale, ia fale gjashtëdhjetë vitet e tij të mbushura me mëkate, vetëm se e shqiptoi shehadetin, e ku mbeti Ummeti im, pasardhësit e mi, të cilët përherë do të thuan: Eshhedu en la ilahe il-lallah, ve eshhedu enne Muhammeden abduhu ve rasuluhu- Besoj dhe deklarojë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut xh.sh, dhe besoj e deklaroj se Muhammedi a.s. është rob dhe i dërguari i Tij.” (Burimi: Sulejman Bugari, Mismo jedan drugome najbolji poklon, Connektum, 2008, fq. 89-90.)

Të dashurit e mi!

Nga kjo ngjarje nxjerrim këto mësime: së pari, njeriu i kishte kaluar të gjashtëdhjetat, pra me standardet e sodit, ai ishte afër pensionit, por përsëri, kjo nuk e pengoi që të kërkoj falje dhe të pranojë të vërtetën. Ai nuk tha: Si t’i ndryshoj qëndrimet e mia, kur njerëzit tanimë më njohin se kush jam dhe çfarë kam bërë?! Ajo që është më interesantja me këtë njeri, është fakti se Xhibrili a.s., melaqja më e madhe, kur vinte te Muhammedi a.s., e merrte pamjen dhe formën e këtij njeriu, pra të Dihje el-Kelbit r.a. Vetë sahabët kanë njoftuar: “Nuk ishim të sigurt nëse përpara nesh kishim Xhibrin a.s. apo Ebu Dihje El-Kelbin.“ Ja, pra, ky është edhe një nder më tepër për të nga Zoti i gjithësisë.

Kurse mësimi i dytë është ky: Muhammedi a.s. u lut për të, që ta pranoje fenë dhe të kthehet te sexhdeja. A lutemi ne për dikë? Për cilin kemi bërë dua që Allahu t’ia plotësojë nevojat dhe dëshirat e tij?

Vëllezër dhe motra të nderuar, le të jenë këto ditë pas ramazani, ditët e pendimit dhe kthimit tonë nga Krijuesi ynë, Allahu fuqiplotë. Le të çlirohemi, njëherë e përgjithmonë, nga egoizmi dhe intereset personale. Le të tregojmë më tepër kujdes për xhematin dhe për bashkësinë tonë muslimane. Le të qëndrojmë me dashuri dhe respekt pranë njëri-tjetrit. Allahu ynë, na falë dhe na mbaj të fortë në rrugën e drejtë dhe të së vërtetës. Amin.

 

(Hutbeja e xhumasë, 30.06.2017, Xhamia El-Hidaje)