Ramazani po shkon, kurse ne mbetemi robër të All-llahut

Mehas-Alija-2

Hfz. Mehas Alija

Falënderimi i takon Zotit të botëve, salavatet dhe selamet i takojnë të Dërguarit të Tij, familjes, shokëve dhe gjithë atyre që e pasojnë për të mirë deri në ditën e gjykimit.

“Thuaj: “Vetëm mirësisë së All-llahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata.” (Junus, 58)

Të ndershëm xhemat

Islami ynë është fe që ka për synim, ndër të tjerash, ta shpëtojë njeriun dhe shoqërinë në të cilën ai jeton. Kështu, të gjitha obligimet islame, që Allahu i Madhërishëm ia ka caktuar njeriut, janë në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të standartit jetësor të njerëzve. Agjërimi, si një prej detyrimeve fetare në Ramazan, erdhi për për na sjellë dobinë dhe mirësinë që Zoti e ka caktuar për ne. Ai, tani po përgatitet për t’u kthyer te Zoti me gjendjen që na gjeti dhe me atë gjendje që do të na lë.

E tani pyesim veten: Si do ta përcjellim këtë muaj? A thua vallë fituam atë që u dashtë ta fitojmë? A e arritëm mirësinë e agjërimit në këtë muaj të bekuar? Dhe pyetja tjetër, a kemi shpresë se do të shpëtojmë?

Malik ibn El-Huvejris, r.a., e përcjellë këtë ngjarje: Njëherë, i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., u ngjit në minber, me ç’rast në shkallën e parë, me zë, tha: Amin (Pranojë o Zoti ynë). Pastaj u ngjit në shkallën tjetër dhe, sërisht, tha: Amin. Kështu vazhdoi edhe në shkallën e tretë ku, me zë, tha: Amin. Shokët e tij, as’habët, u habitën me këtë veprim të pazakonshëm të tijin, porse, më pas ai, s.a.v.s., ua shpjegoi kështu: “Më erdhi meleku, Xhibrili a.s., dhe më tha: O Muhammed, kush e mbërrin Ramazanin dhe me të nuk e arrijnë faljen e Zotit, ai qoftë larg mëshirës dhe faljes së Allahut, e unë thash Amin. Më pas, Xhibrili vazhdoi: Kushdo që i ka gjallë prindërit, ose njërin prej tyre, dhe për shkak të mosrespektimit të të drejtave të tyre hyn në Xhehennem, Allahu nuk ka për ta mëshiruar as këtë, e unë thash Amin. Në çështjen e tretë, Xhibrili a.s. më tha: Kur të përmendet emri yt përpara ndonjë personi dhe ai nuk të dërgon salavat, (pra nuk thotë salallahu alejhi ve selem, ose Allahu Sali ala, Muhammedin ve ala ali Muhammed), atëherë edhe ai qoftë larg mëshirës dhe faljes së Zotit. Xhibrili më tha: Thuaj Amin. Atëherë edhe unë thash Amin. (Tirmidhiu, Ibn Hibani, etj.).

Në lidhje me pjesën e fundit të këtij hadithi, Ebu Hatim ka thënë: “Ky hadith na tregon se kultur fetare është të mos i jepet përparësi vetvetes dhe të mbahesh i madh karshi të tjerëve, e sidomos kur je një person shembull për të tjerët, pasi që vetë Pejgamberi a.s., në dy rastet e para, të ramazani dhe mosrespektimi i prindërve, nuk nguroi të thotë menjëherë Amin, kurse në rastin e tij, kur u tha se qoftë larg mëshirës së Zotit ai i cili nuk i dërgon salavat Muhammedit a.s., ai heshti dhe nuk tha menjëherë “amin”, përderisa i tha vetë Xhibrili thuaje aminin. Ja pra, të dashur xhemat, ky ishte Muhammedi a.s. dhe kjo është kultura e tij. Ata që dëshirojnë ta takojnë Muhammedin a.s., në xhennet, nuk mund të sillen ndryshe. Allahu i Madhërishëm njerëzit e tillë, që e pasojnë të Dërguarin a.s., në modesti dhe thjeshtësi, do t’i lartësojë në dynja dhe në Ahiret.

Në një hadith tjetër, për personin që nuk diti ta kalojë siç duhet këtë muaj, Muhammedi a.s., thotë: “Mjerë për atë që e mbërrin Ramzanin, (shëndosh e mirë), dhe nuk mëshirohet.” (Imam Ahmedi).

Vëllezër dhe motra të nderuara!

Ramazani po kalon e ne duhet që ditët e ngelura t’i shfrytëzojmë maksimum që të mund ta fitojmë mëshirën dhe faljen e Zotit. Është koha idela të mundohemi edhe ca dhe të pendohemi me të madhe, duke i shtuar edhe veprat e mira, ashtu që ta fitojmë razinë dhe kënaqësinë e Allahut, për të na përfshirë në faljen dhe rahmetin e tij të madh, e që do të ndodh në natën e fundit të Ramazanit.

Një dijetar i ndershëm, Ebu Katade, thotë: “Kush nuk falet në Ramazan, ai s’ka për t’u falur as jashtë tij.” Kjo i ngjanë farës e cila, nëse nuk çel në kohën e verës apo kur e ka ajo kohën, nuk mund të çele as në kohën e dimrit. Për në fund, e lus All-llahun xh.sh. të na e pranojë xhumanë tonë, t’i pranojë ditët tona të agjërimit dhe të na përfshijë në faljen e madhe të Tij në fund të Ramazanit. Amin.