„Gjaku i tyre është si gjaku jonë, fëmijët e tyre janë si fëmijët tanë“

Mehas-Alija-2

Mehas Alija

Falënderimi i takon Zotit të gjithë botëve, salavatet dhe selamet i takojnë të Dërguarit të Tij, familjes, shokëve dhe gjithë atyre që e pasojnë për të mirë deri në ditën e gjykimit.

„S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë All-llahun, që të jeni të mëshiruar (nga Zoti).“ (Huxhurat, 10)

Të nderuar vëllezër dhe motra, sot është ditë e madhe, pasi është e xhuma. Dita ma e mirë e javës dhe festa javore e muslimanëve. Ardhja juaj në xhami dëshmon se ju e doni xhaminë dhe jeni këtu për të mbrojtur këtë projekt të madh fetar dhe kombëtar tonin, siç është xhamia jonë. Nëse shqiptarët muslimanë në St. Gallen do të mund të krenoheshin me diçka, do të duhej të krenoheshin me këtë xhami dhe punën e saj.

Xhemat i shtrenjtë, ne jemi një popull që i besojmë një Pejgamberi të madh, siç është Muhammedi a.s. Ai ka thënë: “Besimtarët janë si një trup i vetëm, nëse një pjesë e trupit ka dhimbje, atëherë i gjithë trupi e ndien atë dhimbje.”  (Muslimi)

Ne jemi pasardhësit e një halifi të sinqertë, siç është Ebu Bekri, i cili ka thënë: “Më i dobëti midis jush, është më i forti tek unë.”

Ne jemi pasardhësit e një halifi tjetër të drejtë, siç është Omeri, i cili ka thënë: “Po që se mushka do ta thyente këmbën në rrugë e sipër për në Sham, edhe për këtë Omeri do të ishte fajtor.”

Ne jemi pasardhësit e një halifi, i cili, kur ushtria armike ia kishin burgosur një grua të vetme muslimane, kishte thënë: “Kam me ta dërguar një ushtri, që fillimi do të jetë tek ti, kurse fundi tek unë.”

Ne jemi pasardhësit e një Sulltani, i cili i shkroi mbretit të Francës që të ndaloj të përhapet një valle që për muslimanët ishte e ndaluar, që sot quhet Dance.

Në jemi një popull që vazhdimisht kemi thënë: Vonimi i drejtësisë, është vetë padrejtësi.

Vëllezër dhe motra të nderuara, jemi në muajin Rebiul-evvel, në muajin e lindjes së Muhammedit a.s. Ky muaj na fton të përmirësojmë vetveten, të përmirësojmë perceptimin tonë ndaj Allahut, bindjen ndaj Muhammedit a.s., dhe të përmirësojmë gjendjen e Ummetit.

Sot Ummeti jonë vuan dhe gjakon. Çdo ditë e më shumë po shohim tymin dhe zjarrin mbi shtëpitë e vëllezërve dhe motrave tona në Siri, Irak, Palestinë, Mijanmar, Turqi, Egjipt, Somali, etj. Çdo ditë e më shumë po dëgjojmë britmat e fëmijëve dhe të nënave siriane për shkak të zullumit që ushtrohet mbi ta sot. Çdo ditë e më shumë po shohim se si rrugët lyhen me gjakun e civilëve, dhe askurrkush nga fuqitë e mëdha nuk merr masa. Vallë, çfarë është duke ndodhur me njerëzimin? Ku janë muslimanët? Ku është populli i dikurshëm i lavdive dhe fitoreve të mëdha? Ku është populli i fjalës drejtësi dhe liri? Ku është populli i maksimës La ilahe ilallah? Ku janë popujt e demokracisë dhe të barazisë?

Nëse ne nuk mund të ndihmojmë fizikisht, a nuk mund të ndihmojmë me duatë tonë? A vdiqëm edhe këtu? A do t’i mbyllim sytë edhe kësaj radhe? A do të heshtim edhe tash? A nuk është mjaftë më?

Ne besojmë se muslimanët e kanë një armë të fuqishme që asnjë popull nuk e ka. E ajo është duaja. Për të arritur që duaja të ketë efekt, duhet zemra dhe gjuha ta thonë të njëjtën gjë.  

Ne nga ky Minber e ngremë zërin tonë, për të thirrur mjaftë më me derdhjen e gjakut dhe vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Gjaku i tyre është si gjaku jonë, fëmijët e tyre janë si fëmijët tanë. Shtëpitë e tyre janë si shtëpitë tona. Jeta jonë nuk është me vlefshme se jeta e tyre, e as e ardhmja jonë nuk është më e  sigurt, se sa e sotmja e tyre.

Unë e di se ne nuk mund të bëjmë që të ndryshojë gjendja atje, ashtu që , të ndalet lufta vetëm pse ne kërkojmë. Ne e tregojmë shqetësimin tonë se atje na vritet një pjesë e jona,  na vritet lloji ynë, na vritet njerëzia dhe ndërgjegjja jonë. Janë më se 50’000 njerëz, burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm, të cilët, në qytetin e Halepit, kanë ngelë pa ngrënë e pa pirë, pa gjumë e pa strehë.  Andaj, si njerëz duam që atje të ndalet lufta dhe të rikthehet normaliteti i jetës. Lufta nuk është zgjidhje. Në fund, të gjithë, do të kërkojnë zgjidhje paqësore përmes bisedimeve, ndërsa besoj se kjo është e vetmja dalje nga kjo gjendje e llahtarshme.

Vëllezër të mi të shtrenjtë, ne sot, përmes kësaj hutbe në këtë ditë xhumaje, dëshirojmë t’ju bashkangjitemi të gjithë metropoleve të botës islame, të cilët dje dhe sot, kanë dalur për të kundërshtuar vrasjen e civilëve në Halep. Protesta jonë sot është duaja jonë, andaj dua së bashku me ju ta lus Allahu xh.sh., me sa vijon:

“O Allahu ynë, o Ti që sheh gjithçka dhe dëgjon gjithçka, dëgjoje lutjen tonë dhe shihe gjendjen tonë. O i Mëshirshmi dhe Lavdiploti, të lutemi për vëllezërit tanë në Siri, ndihmoju atyre ja Rabi. O Zot, nëse na e merr krenarinë, mos na e merr shpresën. Nëse na e merr forcën, mos na e merr vullnetin. Zot i Gjithëfuqishëm, ne sot jemi dobësuar, jemi dobësuar jo se Ti deshe, porse vetë ne lëshuam Rrugën tënde, të lutemi pranoje këtë lutje dhe ringrite edhe njëherë ummetin tonë ja Rabil-aleminë.  Zot i Mëshirshëm, nëse të harrojmë Ty, Ti mos na harro ne. Nëse na e merr shëndetin tonë, të lutemi mos e merr edhe besimin tonë. O Zot, sot në sytë tanë po vritën fëmijët dhe motrat tona, të vjetrit dhe të rinjtë tanë, mos lejo, të lutemi, që në Sytë e tu të ndodhin dredhina dhe padrejtësi të këtilla. Ja Rabi, prano lutjet tona, prano kërkesat tona dhe në drejto në rrugën e mbarë dhe të lavdisë. Amin.”

(Hutbeja e xhumasë, 16.12.2016, Xhamia El-Hidaje, St. Gallen)