St. Gallen: Në xhaminë El-Hidaje u shënua Dita e Alfabetit shqip

Të dielën pas dite, më 27.11.2016, pas faljes së namazit të drekës, në xhaminë El-Hidaje, në St. Gallen të Zvicër, u shënua edhe këtë vit Dita Alfabetit të gjuhës shqipe, siç njihet ndryshe edhe si 22 Nëntori. Ky është viti i tretë me radhë që në xhaminë El-Hidaje shënohet në mënyrë të veçantë Dita e Alfabetit.

Programi filloi me një ligjërim të imamit të xhamisë, Hfz. Mehas Alija, i cili foli rreth asaj së çfarë në të vërtetë është Kongresi i Manastirit, si u themelua alfabeti unik i gjuhës shqipe, kontributi i mendimtarëve islam në lidhje me përpilimin e alfabeteve dhe abetareve të para në gjuhën shqipe, etj. Ai gjithashtu potencoi edhe faktin se, as Kurani dhe as sunneti i Muhammedit a.s., nuk e theksojnë nevojën e domosdoshme për të pasur të gjithë popujt muslimanë të njëjtin alfabet dhe të njëjtën gjuhë. Për më tepër, vetë Allahu xh.sh., në Kur’anin famëlartë, thotë se gjuhët dhe racat e ndryshme janë prej argumenteve të Zotit (Shih: Er-Rum, 22). Pra, çështja e ndërrimit të alfabetit nga ai arabo-osman, në atë latin, nuk përbën ndonjë blasfemi apo gabim të madh fetar, por çështja duhet të shikohet më tepër në rrafshin politik.

Sipas imamit Mehas Alija, ishin rrethanat dhe politika e kohës ato që ndikuan në vendimet e shqiptarëve për të unifikuar alfabetin dhe bashkuar abetaret. Madje, tanimë, gjuha shqipe, po me këtë alfabet që e posedon sot, i jep vlerë dhe përmasë edhe më të madhe qytetërimit islam.

Këtij takimi i dhanë jehonë dhe emocion paraqitjet e dy poezive, të cilat i lexuan tre talebet e xhamisë, njëherit edhe nxënës të Shkollës shqipe që funksionon në St. Gallen. Vlera dhe Shkëmb Rexhepi lexuan poezinë e Naim Frashërit “Gjuha jonë”.

Më pas fjalën e mori edhe i ftuari special për këtë shënim, Mr. Ragmi Destani, kryeimami i KBI të Bujanocit, i cili ligjëroi mbi temën: “Kontributi i hoxhallarëve në ruajtjen e identitetit kombëtar”. Tema përthekoi një sërë elementesh që nxirrnin në pah përmasën e punës, angazhimit dhe kontributit të ulemasë islame në lidhje me ruajtjen dhe zhvillimin vlerave kombëtare.

“Ngritja e vetëdijes kombëtare, Formimi i Lëvizjes së Prizrenit, angazhimi vetëmohues në ndihmë ndaj të tjerëve, pjesëmarrja në luftërat çlirimtare kombëtare, inkuadrimi dhe pjesëmarrja aktive në pajtimin e gjaqeve, kontributi i Medresesë “Alaudin” në çështjen kombëtare, roli i xhamive dhe imamëve në diasporë, etj.”, janë disa nga pikat në të cilat u ndalë ligjëruesi special në tribunën kushtuar ditës së Alfabetit, ef. Destani.

Në pjesën e fundit, nxënësi Dren Rexhepi, u paraqit me poezinë kushtuar tokave shqiptare, i cili, me interpretimin e guximshëm, preku zemrat dhe shpirtrat e të pranishmëve.

Tribuna kushtuar ditës së Alfabetit filloi me namazin e drekës dhe u përmbyll, po ashtu, me namaz, respektivisht me namazin e iqindisë.