Rebiul-evveli: Thirrje për t’u ndryshuar

Hfz. Mehas Alija

“O ju që besuat, respektojeni All-llahun dhe të dërguarin e Tij, e mos e braktisni atë se ju po e dëgjoni (Kur’anin). Dhe mos u bëni si ata që thanë: „Dëgjuam“, e në të vërtetë ata nuk dëgjojnë.” (Enfal, 20-21).

“Unë jam mëshirë e dhuruar.” (Darimiu, Hakimi)

I nderuari xhemat, sot është e xhuma dhe jemi në muajin Rebiul-evvel të kalendarit hixhri. Dikush prej jush e di, e dikush ndoshta nuk e di se ky muaj është muaji në të cilin ka lindur drita e udhëzimit, më i lavdëruari i Allahut, Muhammedi a.s. 12 rebiul-evveli është dita e lindjes së tij dhe këtë ditë, ne, e shënojmë me ngjarje të ndryshme.  12 rebiul-evveli vjen me na sjellë porositë e vitit. Ai nuk është sikur baba-dimri që na mashtron apo na gëzon me ca dhurata të vogla. Muaji i lindjes së Muhammedit a.s. na e matë dashurinë dhe qasjen tonë ndaj tij dhe veprës së tij.

Sot, vjen muaji i Mevludit, Rebiul-evveli dhe na thotë:

– Kur zemrat e muslimanëve t’i thoshin tekbiret, ashtu siç i thonë gjuhët e tyre, kishin për të ndryshuar rrjedhat e historisë…

– Kur muslimanët të tuboheshin rreth të drejtave të tyre, mu ashtu siç tubohen rreth Qabesë së shenjtë, askush nuk do të kishte mundësi t’i sulmonte dhe t’i poshtëronte…

– Kur të gjithë muslimanët të rreshtoheshin në një saff, në një rresht, pas një udhëheqësi, pas një imami, mu ashtu siç rreshtohen pas imamit në namaz, askush nuk do të kishte mundësi të ndalte zhvillimin dhe përparimin e tyre…

– Kur muslimanët sot t’i jepnin njërit-tjetrit zemrën e shpirtin, ashtu siç i japim njëri-tjetrit dorën, do ta kishim larguar njëherë e përgjithmonë prej nesh mospajtimet, urrejtjen dhe vëllavrasjen…

– Nëse sot shpirtrat tanë do të buzëqeshnin, ashtu siç buzëqeshin buzët tona, do të ishim njerëzit më të lumtur në botë, kurse me këtë, do të shëronim njerëzit nga smira dhe xhelozia…

– Kur muslimanët sot të therrnin si kurban egon, apo epshin e tyre, ashtu siç therin kurbanet e tyre, për ta e sotmja, dhe çdo ditë tjetër, do të ishte bajram…

– Sikur sot, ashtu siç vishemi bukur, me teshat më të mira, të visheshim me moralin dhe sjelljen me të bukur të Islamit, do të ishim njerëzit më të dalluar dhe më të mirë në botë…

– Sot te muslimanët mbizotëron varfëria, por edhe te disa të tjerë pasuria. Sikur muslimanët e pasur të jepnin siç duhet zeqatin dhe sedakanë, asnjë muslimanë sot në botë nuk do të ishte i varfër…

Ja, xhemat i shtrenjtë, po të vazhdoja edhe më tepër të përdorja analogjinë e këtillë, me siguri që do ta kisha zgjatur edhe më shume vargun e shqetësimit dhe krahasimit tonë, ndërmjet asaj se kush jemi dhe si do të duhej të ishim, por besoj se kjo mjafton për ne, sa për t’u vetëdijësuar dhe pyetur veten, se ku jemi dhe çfarë bëjmë.

12 rebiul-evveli vjen dhe na thotë që duhet të ndryshojmë, se duhet ndryshe fenë  ta kuptojmë, se kjo që ne e zbatojmë ose është shtrembërim ose është shumë pak, nga sa Allahu xh.sh. pretë.

Vëllezër dhe motra të nderuara, kjo është thirrja jonë për të menduar, e më pas edhe për të ndryshuar. Muslimanëve nuk u ngjanë kjo gjendje që sot janë. Neve do të duhej të na ngjante thënia e Allahu xh.sh., i cili në Kur’an thotë: “Ju jeni populli më i mirë, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në All-llahu.” (Ali Imran, 110).

Rebiul-evveli po thotë: dojeni Muhammedin a.s. pa dorëza, pa hile, jepja atij shpirtin e zemrën, ai do t’ju jap dashurinë e Allahut, shefatin e tij, haudin e tij, si dhe Xhennetet e larta – të gjitha këto të premtuara nga i Plotëfuqishmi, Allahu xh.sh.

Rebiul-evveli po thotë: Zgjohuni muslimanë, zgjohu o Ummet, jepi botës plot kuvet, agimin e rradhës mos  e prit të vjen vetë…

 

| Hutbeja e xhumasë, 09.12.2016, Xhamia El-Hidaje |