Elementet e dialogut ndërfetar në Islam

karige-264x180

-II-

Më lartë pamë se elementet kryesore të definicionit mbi dialogun janë: komunikimi i qytetëruar, opinionet e ndryshme, njohja ndërmjet veti, jeta në paqe, respekti i ndërsjellë, toleranca dhe bashkëpunimi në të mirën. Shkurtimisht do të bëjmë një qasje ndaj tretmanit kuranor që u bën secilit nga këto elemente. Njihen mirë thirrjet e shumta kuranore për një komunikim të qytetëruar me ithtarët e feve të tjera, ndërsa ne do të përmendim vetëm një prej tyre: “Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira.” (16:125).  Shkurt thënë, fjala e bukur është detyrë e çdo muslimani ndaj të gjithëve, duke i përfshirë edhe jomuslimanët.

Supozimi fillestar i dialogut është bindja se larmia dhe shumësia e rrugëve shpirtërore, deri tek e vërteta, janë me origjinë hyjnore.[5] Mësimi mbi të tjerët dhe veçanëtitë e tyre, si një shprehje e vullnetit të Zotit, duhet të jetë në qendër të dialogut. Të kuptuarit e këtillë, për Islamin, nuk është një gjë e huaj. Islami njeh shumësinë (pluralitetin) e feve dhe fton muslimanët që të respektojnë faktin të cilin e paraqet Kur’ani si një vullnet të Zotit që nuk lejohet të ndryshohet me dhunë: Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t’i besonin çka janë në tokë që të gjithë. A ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë.” (10:99. Shih edhe 5:48.) Platforma e B. I. në BeH, në lidhje me dialogun, në paragrafin e saj të parë, konstaton: “Duke filluar nga konstituimi dhe interpretimi i traditës muslimane, në fenë dhe përvojën e tyre, që nga koha e Muhamedit a.s., deri më sot, janë të njohura të drejtat e të tjerëve për lirinë e besimit dhe manifestimin e fesë. Këtë të drejtë ua jep vetë Zot i Lartmadhërishëm,  dhe është njëra prej vlerave të mbrojtura me Sheriat, ndërsa është aplikuar varësisht rrethanave shoqërore dhe historike ku muslimanët kanë jetuar me të tjerët. Bashkësia Islame (BI), pajtohet që, e drejta e lirisë së besimit dhe manifestimi i fesë, të respektohet në tërë teritorin e Bosnjë dhe Hercegovinës (BeH).”

Në Kur’an, të njohurit, të kuptuarit dhe ndërtimi i marrëdhënieve (te’aruf), theksohen si shkaqe të ndarjes së njerëzimit në popuj e fise: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, , e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (49:13). Aktivitetet arsimore ndërfetare, takimet ndërfetare dhe bashkëpunimi në programe sociale, kanë për qëllim njohjen dhe ndërtimin e marrëdhënieve.

Kur flasim për paqen, si një qëllim i dialogut ndërfetar, kujtojmë se vetë misioni profetik ishte kryesisht paqësor dhe insistonte që të mbillte paqen te njerëzit dhe midis tyre. I Dërguari, Muhamedi a.s., ishte ndërtuesi i paqes në Meke edhe para pejgamberisë, dhe në veçanti pas saj. Fillimisht, Medina, para së gjithash, e pranoi atë si një paqësor, e vetëm një pjesë e saj e pranuan si pejgamber. Sa herë që i jepej rasti dhe mundësia, nënshkruante marrëveshje paqësore, madje edhe atëherë kur shokët e kundërshtonin, sikur që ndodhi me marrëveshjen e Hudejbijes. Sepse, edhe pse kanë të drejtë muslimanët, të cilët besojnë se është detyrë e çdo muslimani të ftojë njerëzit në Islam, është e qartë se fjala e Zotit duhet të përhapet vetëm me dëshirë e jo përmes forcës, dhe vetëm përmes paqes dhe dashurisë mund të arrihet suksesi, e assesi në një atmosferë frike, mosbesimi dhe dhune. Prandaj dhe i Dërguari a.s., u fliste shokëve të tij që të mos e dëshirojnë luftën. Qetësia, zgjidhja e konflikteve dhe rindërtimi i marrëdhënieve (islah dhe sulh) janë të lidhura ngushtë në përpjekjet dialoguese për të jetuar në paqe dhe në raporte të mira, si dhe për t’i kapërcyer mosmarrëveshtjet e tjera, etnike, racore, etj. Kjo, pra, është edhe një prej temave të shpeshta të Kur’anit: “Në shumë biseda të tyre të fshehta nuk ka kurrfarë dobie, përveç (bisedës) kush këshillon për lëmoshë, për ndonjë të mirë ose pajtim mes njerëzve. E kush i bën këto duke pasur për qëllim vetëm kënaqësinë e All-llahut, Ne do ti japim më vonë (në botën tjetër) shpërblim të madh.” (4:114). Platforma e BI në BeH, në lidhje me këtë, thotë: “BI e BeH pajtohet për paqen në botë dhe për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve midis shteteve përmes rrugës paqësore. Duke u nisur prej qëndrimit islam se të gjithë njerëzit formojnë një bashkësi, BI me vendosmëri gjykon çdo agresion, hegjemoni dhe shfrytëzim të të varfërve nga ana të fuqishmëve.”

Më tutje, nëse flasim mbi respektin ndaj besimeve të huaja, një sërë tekstesh kuranore dhe veprimesh profetike, janë thirrje e qartë në këtë drejtim. Sipas principit të reciprocitetit, Kur’ani ndalon qartë fyerjen e kulteve fetare të jomuslimanëve: “Ju mos ua shani ata (zota) që u luten (idhujtarët), pos All-llahut, e (si hakmarrje) të fyejnë All-llahun nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij). Kështu Ne ia kemi zbukuruar çdo populli veprimin e vet, mandej e ardhmja e tyre është te Zoti i tyre, e Ai i shpërblen për atë që vepruan.” (6:108). Në këtë frymë, edhe Platforma e BI, pohon me sa vijon: “BI konsideron se çdo bashkësi dhe kishë duhet t’i gjykojë dhe sanksionojë individët apo grupet e rradhëve të tyre, të cilët përhapin urejtjen fetare, diskutimet e dëmshme dhe nënçmimin e besimit të të tjerëve ose që nxisin jotolerancën dhe pamaturinë ndaj ithtarëve të feve dhe besimeve të tjera.” Të gjithë vendet e kultit janë objekt mbrojtjeje dhe kujdesi nga Zoti përmes njerëzve: “… E sikur All-llahu të mos i zbrapste disa me disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret, kishat, havrat e edhe xhamitë që në to përmendet shumë emri i All-llahut.” (22:40). Kur’ani dhe i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ndaj jomuslimanëve, kryesisht, demonstrojnë mirëkuptim, dhembëshuri dhe kujdes. Sa për ilustrim, Pejgamberi a.s., është lutur për pabesimtarët (Omerin dhe Ebu Xhehlin, për banorët e Taifit, Meken e cila u godit nga thatësia) dhe u ngrit në këmbë gjatë përcjelljes së xhenazes së një gruaje hebreje. Për shkak të shqetësimit që kishte për fatin e atyre të cilët nuk i përgjegjeshin thirrjes së tij, shpesh i rëndohej gjendja, andaj dhe Zoti i Madh e pyet: “A thua ti do ta shkatërrosh veten nga hidhërimi pas tyre, nëse ata nuk i besojnë këtij ligjërimi (Kur’anit).” (18:6). Kur Kur’ani flet në lidhje me debatin me jomuslimanët që janë këmbëgulës, në fund kërkon prej tyre që të dëshmojnë (për besimtarët) se janë muslimanë.(3:64). Atyre iu përketë feja e tyre, kurse muslimanëve Islami: “Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (që i përmbahem)!” (109:6).

Kur’ani, në mënyrë të hapur, fton të gjithë të bashkëpunojnë (te’avun) në punë të mira: “…Urrejtja ndaj një populli, që iu pat penguar nga xhamia e shenjtë, të mos ju shtyjë të silleni në mënyrë të padrejtë kundër tyre. Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi. Kini dro dënimit të All-llahut, se me të vërtetë All-llahu është ndëshkues i fortë.” (5:2) Kësisoji, i Dërguari i Allahut, s.a.v.s, edhe para se të pranonte shpalljen, pati marrë pjesë në iniciativën Bashkimi për vyrtitin (Hilfu-l-fudul), qëllimi i së cilës ishte mbrojtja e të pafuqishmëve, ashtu që, më vonë, të ndihej krenar për një përvojë të tillë tek po u tregonte shokëve, dhe për gadishmërinë e tij për t’iu përgjigjur sërish ftesës nëse do të ftohej për një iniciativë të ngjashme. Për më tepër, Zoti prej nesh pret që, dallimet në besim, të jenë shkak për nxitje në garë për punë të mira (istebiku ‘l-hajrat), e jo në punë të këqija dhe vrasje: “Sikur të donte All-llahu, do t’ju bënte një popull (në fe e sheriat), por deshi t’ju sprovojë në atë që ua dha juve, andaj ju (besimtarë) përpiquni për punë të mira. Kthimi i të gjithë juve është te All-llahu, e Ai do t’ju njoftojë me atë që kundërshtoheshit.” (5: 48)

Kjo duhet bërë në atë mënyrë ashtu sikur përkatësitë nacioanle të ndryshme motivojnë olimpistët dhe sportistët e tjerë të arrijnë në rezultate të mrekullueshme sportive. Dallueshmëria fetare është një test i cili duhet të kalohet. Është disi e habitshme por Zoti thotë se dallimet në besim sikur na kanë “zbukuruar”, ashtu që në emër të tyre të mund të bëjmë edhe më shumë vepra të mira. Nuk e di përvojnë e lexuesve, por unë frymëzimin më të madh shpirtëror e kam pasur kur jetoja në mjedisin joislam të Armatës popullore Jugosllave. Kjo ishte për mua një nxitje shtesë për të dëshmuar fenë time në një mjedis ateizmi.

Gjithsesi, duhet t’ju bëhet një koncesion edhe skeptikëve: dialogu nuk është një proces i lehtë. Nuk kanë të gjithë njerëzit qëllime të mira, mirëpo, falë Zotit, nuk janë të shumtë. Për ata që janë me tjetër disponim ekzistojnë mekanizma të tjerë të interaksionit sikur që janë bisedimet, debatet, shmangiet dhe shpërfilljet. [6] Kur’ani besimtarët i mëson kështu: “Ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe (kurr i thirrni në fenë tuaj) vetëm ashtu si është më së miri, përveç atyre që janë mizorë dhe thuajuni: “Ne i besuam asaj që na u zbrit neve dhe që u zbriti juve dhe se Zoti ynë dhe Zoti juaj është një, dhe se ne i jemi dorëzuar Atij.” (29: 46).

Dialogu është një aktivitet i cili ka kuptim vetëm kur partnerët janë të barabartë; të barabartë edhe në qëllimet e sinqerta, për shkak se, për dialogun dhe paqen, nevojiten të dyja. Platforma e BI të BeH, në lidhje me këtë, thotë: “BI nuk është e gatshme ta udhëheq dialogun me bashkësitë dhe individët, të cilët fyejnë dhe nënçmojnë mësimin islam.” Ky qëndrim është në përputhje me udhëzimet kuranore: “Kur sheh ata se janë thelluar (me tallje) në çështjet Tona, largohu prej tyre derisa të kalojnë në bisedë tjetër. Nëse djalli të bën të harrosh (e rri me ta), pasi të bie ndër mend, mos rri me popullin mizor.” Ose ajeti tjetër: “Juve u është shpallur në librin (Kur’anin) që, kur të dëgjoni se po mohohet Kur’ani i All-llahut dhe po bëhet tallje me të, mos rrini me ata derisa të mos hyjnë në bisedë tjetër. Përndyshe, ju do të jeni si ata. All-llahu do t’i tubojë tradhëtarët dhe jobesimtërët që të gjithë në xhehennem.” (4:140).

Sigurisht se gabohet nëse mendohet se këto ajete e dënojnë dialogun ndërfetar, sikur që e definuam më lartë, sepse është e qartë se përçmimi i çdo lloji të kulteve fetare nuk është në frymën e dialogut të përshkruar më lartë. Më tutje, në Platformë thuhet: Bashkësia islame, në marrëdhëniett e saja me ithtarët e bashkësive të tjera fetare ndjek mësimin kuranor për një jetë në paqe, drejtësi dhe mirësi me të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë: “All-llahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; All-llahu i do ata që mbajnë drejtësinë. All-llahu ua ndalon t’u afroheni vetëm atyre që ju luftuan për shkak të fesë, që ju nxorën prej shtëpive tuaja dhe që ndihmuan dëbimin tuaj; ju ndalon të miqësoheni me ta. Kush miqësohet me ta, të tillët janë dëmtues të vetvetes.” (60: 8-9) Ky është paragrafi qëndror kuranor sa i përket vendit të tjetrit në Islam. Juristi me famë i medh’hebit malikij, Shihabuddin El-Kerafi, duke i komentuar fjalët “të bëni mirë”, ka numëruar disa gjëra: “Dashamirësinë ndaj të dobëtit të tyre, plotësimin e nevojave të të varfërit prej tyre, ushqimin e të urritur prej tyre, të veshurit e lakuriqit prej tyre dhe butësinë gjatë bisedimit me to, duke e bërë këtë nga konsiderata dhe mëshira për to, e jo për shkak të frikës dhe nënçmimit, (…) edhe lutja e Zotit që t’i udhëzojë dhe t’i bëjë të lumtur, si dhe t’i këshillojmë në të gjitha çështjet, të fesë ose të kësaj bote qofshin, gjithashtu nuk duhet t’i përgojojmë, dhe se duhet t’ua ruajmë pasurinë, familjen, nderin dhe të gjitha të drejtat dhe intereset e tyre. T’u ndihmojmë edhe në rregullimin e padrejtësive të bëra ndaj tyre, si dhe në realizimin e të gjithë të drejtave të tyre…”[7] Sipas kësaj, është vendimtare që të mos bihet në sprovë që bashkësitë fetare dhe sjelljet e tyre të gjeneralizohen. Kur’ani, si për shembul, i kritikon disa të krishterë, por edhe i lavdëron disa të tjerë: “Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në All-llahun. E sikur ithtarët e librit të besonin drejt, do të ishte shumë më e mirë për ta. Disa prej tyre janë besimtarë, po shumica e tyre janë larg rrugës së Zotit.” (3:110). Më tutje, Kur’ani për dy besimtarë tradicionalë lë të hapur derën e shpëtimit, për hebrenjtë dhe sebejët: “Vërtet, ata që besuan, ata që ishin jehudi, krishterët, sabejët (kishin lëshuar fenë e adhuronin engjëjt), kush besoi prej tyre (sinqerisht) All-llahun, dhe botën tjetër dhe bëri vepra të mira, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë as nuk kanë përse të pikëllohen (pasi që besuan All-llahun, librat, të dërguarit në mesin e të cilëve edhe Muhamedin).” (2:62). Për shkak të krejt kësaj, duhet që përmes arsimimit dhe trajnimit të fitojmë aftësinë për të udhëhequr dialogun, që ndryshe quhet kompetencë dialoguese.

Shumë muslimanë janë kundërshtarë të hapur të dialogut për shkak të mënyrës sesi i kuptojnë disa tekste të caktuara islame. Kështu që disa prej tyre do të ftojnë mbi bazën e ajetit kuranor: “As jehuditë, e as krishterët kurrë nuk do të jenë të kënaqur me ty deri sa ta pasosh fenë e tyre.” (2:120). Megjithatë, e qartë është se ky ajet nuk e ndalon dialogun, porse flet mbi të qenit i kënaqur plotësisht. E nëse është fjala për këtë, atëherë njëjtë mund të thuhet se as muslimanët nuk do të jenë plotësisht të kënaqur me jomuslimanët, përderisa nuk e pranojnë Islamin. Ne këtu nuk kërkojmë kënaqësinë e plotë, por kërkojmë bashkëjetesën në paqe dhe tolerancë. Ka edhe shumë shembuj të tjerë të leximit selektiv të Kur’anit dhe të traditës së Pejgamberit a.s. Prandaj, duhet pohuar sërish se Kur’ani, si një libër unik që është, ka edhe strukturën e tij unike. Në të gjenden shpesh, pranë njëra-tjetrës, udhëzimet e luftës dhe dispozitat e përgjithshme ligjore (kushtetuese). Kështu që, nevoja për një qasje tematike të burimeve islame shfaqet edhe më e theksuar. Për fat të keq, qasja selektive është më e lehtë dhe shpesh më e suksesshme në bindjen e njerëzve, të cilët, në të kuptuarit e teksteve, janë të mbyllur dhe sipërfaqësor, por edhe për të përfituar më lehtë vëmendjen e publikut dhe të mediumeve. Vështirë se dikush do të dëgjonte kur do të përmendnit paqen dhe bashkëjetesën, ndërkohë që, po të përmendni fjalët “urre” dhe “vrit”, do të mbuloheshit nga lajmet më bombastike.[8]

 

“Ithtarët e Librit”

Në kontekst të bisedimit dhe dialogut, kjo na shpie te një grup i veçantë i jomuslimanëve. Në fakt, në Kur’an, vend të posaçëm midis jomuslimanëve kanë edhe hebrenjtë dhe të krishterët, të cilët krahas muslimanëve, përbëjnë “bashkësinë e ithtarëve të librit” (ehlu’l-kitab), si një bashkësi e ithtarëve të monoteizmit dhe dekalogut (dhjetë porosive) (3: 64). Kur’ani qartë thekson se Islami është vazhdimësi e fesë së Ibrahimit / Abrahamit: “Ai ju përcaktoi juve për fé atë që ia pat përcaktuar Nuhut dhe atë që Ne ta shpallëm ty dhe atë me çka e patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain. (I porositëm) Ta praktikoni fenë e drejtë e mos u përçani në të.” (42: 13) ose ajeti: “Pastaj, ty të shpallëm: “Ndiqe fenë e drejtë të Ibrahimit, se ai nuk ka qenë nga idhujtarët.” (16:123). Këtë veçori e vë në pah edhe Platforma e BI e BeH: “BI është e hapur në dialogun ndërfetar, sidomos me përfaqësuesit e feve monoteiste: me krishterimin (përfshirë ortodoksët, katolikët dhe protestantët) dhe me judaizmin.”

Kur’ani flet për rënie të moralit te grupeve fetare të mëparshme, sikur që flet edhe për ata të bashkësisë së Muhamedit a.s., por edhe për  guximin dhe trimërinë e muslimanëve, duke u treguar shembuj pozitivë nga historia fetare e hebrenjëve dhe të krishterëve të më parshëm.[9] Kur’ani, drejtë për drejtë i fton hebrenjtë dhe të krishterët, që të mblidhen rreth një fjale dhe aktiviteti të përbashkët: “Thuaju (o i dërguar): “O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos All-llahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri – tjetrin zotër pos All-llahut”! E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)” (3:64). Pejgamberi i Allahut, Muhamedi a.s., siç do të shohim më vonë, shprehu keqardhje kur të krishterët bizantinë pësuan humbje nga ana zjarëputistëve persianë (30: 1-6), ndërsa kur muslimanët patën nëvojë më së shumti për përkrahje, ndihmën e gjetën prej një të krishteri. Me hebrenjtë, mirëpo jo edhe me arabët e tij politeistë, formuan besëlidhjen qytetare, përmes së cilës obligohej mbrojtja e ndërsjellë e qytetit të përbashkët, ndërsa këtë bashkësi të re hebraiko-muslimane e emëroi me shprehjen Ummet – bashkësi e veçantë krahas njerëzve të tjerë. Muslimanëve u është lejuar ushqimi i përgatitur nga ana e hebrenjve dhe të krishterëve, kurse, në princip, u lejohet edhe të martohen me gratë besimtare të krishtera dhe hebreje: “Sot u lejuan për ju ushqimet e mira, edhe ushqimet (të therrurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet (të therrurat) tuaja janë të lejuara për ta (u janë lejuar). Gratë e ndershme besimtare dhe (gra) të ndershme nga ata të cilëve u është dhënë libri para jush, kur atyre u jepni pjesën e caktuar të kurorës, por duke pasur për qëllim martesën, e jo imoralitetin dhe jo si dashnore ilegale. E kush mohon (tradhton) besimin, ai ka asgjësuar veprën e vet dhe ai në botën tjetër është prej të shkatërruarve.” (5: 5). Sot e kësaj dite, shumë muslimanë në Perëndim shfrytëzojnë shportën hebraike të ushqimeve, në mungesë të ushqimeve hallall të çertifikuara. Kjo, gjithsesi, ka të bëjë me traditën e respektimit dhe të mbrojtjes së atij i cili konsumon ushqimin tuaj. [10]

-vazhdon-

Autor:
Prof. dr. Ahmet Alibashiq

Përktheu nga boshnjakishtja:
Mehas Alija

[5] Shafiq i Abu-Nimer, 42.

[6] Kur’an, 25: 63.

[7] El-Qarafi, El-Furuq, 3: 15 në Jusuf El-Karadavi, Gajru ‘l-muslimin fi ‘l-mudžteme‘i ‘l-islami (Bejrut: Muessesetu ‘r-risale, 1985), 38.

[8] Për më shumë komente të disa ajetëve të Kur’anit, shih: Tariq Ramadan, Muslimanët euro-amerikanë dhe e ardhmja e Islamit, Sarajevë, Shoqata Ilmijje, BI në BeH, 2007, 256-61.

[9] Besimi i fortë i Talutit / Saulit dhe të atyre të cilët qëndruan pranë tij (2: 249); etj. Shih më shumë: Vidi Shafiq i Abu-Nimer, iv.

[10] Shumë norma të zhvilluara për ngritjen e raporteve midis hebrenjve dhe të krishterëve, më vonë, u zgjeruan edhe ndërmjet hinduistëve, budistëve dhe grupeve të tjera fetare, me të cilët ranë në kontakt muslimanët. Megjithatë, kjo nuk ndodhi me dispozitat që kanë të bëjnë me martesën dhe ushqimin.

(El-Hidaje)